E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika shqiptare pershendet lirimin e Haradinajt

Politika shqiptare ka përshëndetur lirimin e Ramush Haradinajt. Kryeministri Sali Berisha e konsideroi lirimin e Haradinaj lajmin më të gëzueshëm të mëngjesit të sotëm. Ai tha se ky vendim është triumf i drejtësisë dhe se nuk ka patur asnjëherë dyshime për lirimin e tij.
"Lirimi i Ramush Haradinajt ishte lajmi më i gëzuar që më erdhi mua dhe gjithë shqiptarëve këtë ditë. Pafajësia e Ramush Haradinajt, ish-komadant i UÇK dhe luftëtarit për liri, që ndihmoi shumë njerëz nga barbaritë, është triumf i drejtësisë ndërkombëtare. Nuk kam pasur kurrë dyshim tek drejtësia dhe pafajësia e z. Haradinaj. Shfrytëzoj rastin ta ftoj në Shqipëri të festojmë së bashku këtë ditë të madhe, këtë vit të madh. Përpjekjet për të simetrizuar gjëra jo simetrike kanë marrë përgjigjen e duhur nga gjykata ndërkombëtare", tha kryeministri.

Nishani: Lirimi i Haradinaj një fitore e rëndësishme
Presidenti Nishani përshëndet vendimin e Gjykatës së Hagës për lirimin nga akuzat të liderit të AAK-së Ramush Haradinaj dhe bashkëluftëtarëve të tij. Përmes një njoftimi për shtyp të zyrës së informacionit pranë Presidencës bëhet e ditur se në vlerësimin e kreut të shtetit, vendimi i Gjykatës së Hagës për të çliruar nga të gjitha akuzat Ramush Haradinajn, Lahi Brahimajn dhe Idriz Balajn është një fitore e rëndësishme e drejtësisë dhe shprehje e shkëlqyer e paanësisë së kësaj Gjykate. “Ky vendim ka një dimension human për familjarët dhe të afërmit, është i një dimensioni kombëtar për shqiptarët që mbështetën me përpjekje të pandërprera çlirimin e Kosovës, për të rënët që bënë sakrificën sublime, për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për rolin dhe imazhin e saj në betejat për të mbrojtur qenien shqiptare nga një makineri shfarosëse dhe për të fituar lirinë. Përpjekjet e pandërprera për të krijuar konfuzion në lidhje me autorësinë e krimit dhe të viktimës për qëllime politike duhet të ketë marrë një mësim. Ne popujt e rajonit duhet të shikojmë nga e ardhmja jonë e përbashkët duke lënë pas të shkuarën, por pa e harruar atë. Harresa dhe, aq më keq shtrembërimi i të shkuarës mund ta cënojnë të ardhmen tonë, sepse nuk na garantojnë se tragjeditë e së shkuarës nuk do të përsëriten. Drejtësia e paanshme është garancia më e mirë për të ndërtuar themelet e forta të ardhmërisë sonë”, thuhet në këtë njoftim.
Kryetarja  e Kuvendit uron Haradinajn për pafajësinë Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli përshëndet lirimin e komandantit  legjendar të njësive të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish- Kryeministrit dhe liderit të AAK-së Ramush Haradinaj dhe bashkëluftëtarëve të tij, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balajn.  “Asnjëherë ne nuk  kemi dyshuar për pafajësinë e Ramush Haradinaj. Asnjëherë s’kam për të harruar  kur Ramush Haradinaj. ish kryeministër shkoi në mënyrë vullnetare për të demonstruar pafajësinë e tij. Shpallja e pafajësisë së tij është një lajm i bukur, që vjen menjëherë me Jubileun e 100 vjetorit të Pavarësisë. Tashmë të gjithë ata që u përpoqën të hedhin hije mbi  luftën Çlirimtare të Kosovës  dështuan. Në emër të Kuvendit të Shqipërisë bëj urimet më të mira zotit Haradinaj”- u shpreh Kryetarja e Kuvendit.
Meta: Heroi i gjallë i UCK-së Ramush Haradinaj “Vijnë lajme të mira nga Haga, heroi i gjallë i UCK-së Ramush Haradinaj, ka fituar për herë të dytë pavarësinë duke shënuar një arritje, sukses tjetër të përpjekjeve të popullit shqiptar, aq më tepër kur kjo ndodh një ditë pas 100-vjetorit të pavarësisë, më 29 nëntor”- deklaroi Meta

Rama: U fashitën të gjitha hijet e hedhura mbi UÇK-në
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e konsideron një moment të jashtëzakonshëm lirimin e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj. Sipas Ramës, “qysh prej sot të gjitha hijet e hedhura nga keqdashësit mbi lavdinë e UÇK-së dhe heroiken e luftëtarëve të saj janë fashitur një herë e përgjithmonë.

Për Vendimin e gjykatës së Hagës ka patur komente edhe nga politikanë të tjerë shqiptarë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›