Politikanët serb: Rezoluta për Kosovën, bumerang për Serbinë
Prishtinë, 29 gusht, NOA - Politikanët serbë në Kosovë vlerësojnë se rezoluta për Kosovën, të cilën Serbia e ka paraqitur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e konfronton Serbinë me vendet e Bashkimit Evropian dhe SHBA-të.
Rada Trajkoviç, politikane nga Graçanica shpreh mendimin se Serbia e ka kuptuar se nuk mund të konfrontohet me këto vende. Ndërkaq, Dragisha Kërstoviç thotë se kjo rezolutë do të jetë bumerang për Serbinë.
Zhvillimet e fundit kanë treguar se propozim rezoluta e Serbisë për Kosovën, të cilën ajo e ka paraqitur për tu diskutuar në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, po i sjellë dhe do ti sjellë probleme vetë Serbisë, vlerësojnë politikanët serbë të Kosovës.
Rada Trajkovic, thotë se janë të qarta sinjalet se rezoluta serbe për Kosovën nuk iu konvenon disa qarqeve të fuqishme brenda Kombeve të Bashkuara dhe se raporti i forcave nuk është i njëjtë sikurse në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Ndoshta mund të ndodhë absurditeti që rezoluta të kalojë dhe në një mënyrë ta devalvojë Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Në këtë kuptim, bashkësia ndërkombëtare, mendoj vendet që e kanë pranuar pavarësinë, po tregojnë nervozitet të madh dhe dëshirojnë të bëjnë marrëveshje me Beogradin.
Po shohim se edhe Beogradi është i vetëdijshëm që nga ai varet mjaft zhvillimi i Serbisë dhe është pozicionuar për konstruktivitet, thotë Trajkoviç.
Ajo shton se pritet që Serbia do ti qaset ndryshimit të rezolutës, gjë që mund të sjellë deri te votimi i saj, por që, sipas zonjës Trajkoviç, pavarësisht nga kjo, nuk do të mund të zgjidhet asgjë.
Ndërkaq, Dragisha Kërstoviç, po ashtu politikan serb nga Kosova, i vlerëson të pakta gjasat për rezoluta serbe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Gjasat janë të dobëta dhe kjo mund të dëgjohet edhe në qarqe zyrtare në Beograd. Në anën tjetër, e kemi edhe paralajmërimin nga kryetari Tadiç se do të tentohet që të bisedohet me Brukselin dhe Uashingtonin lidhur me ndryshimet eventuale të rezolutës.
Kjo do të thotë që ekzistojnë shenja që mundësia e kalimit të rezolutës është mjaft pezull, apo është më shumë afër asaj që rezoluta të refuzohet. Në këtë drejtim, mjaftë e qartë ka qenë edhe vizita e ministrit të Jashtëm gjerman, vlerëson Kërstoviç.
Ndryshe, të dy këta politikanë serbë të Kosovës pranojnë se tashmë ekzistojnë mjaft zëra edhe në Serbi, që thonë se rezoluta serbe për Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, jo vetëm që do të dështojë, por do të jetë një bumerang për Serbinë.
Trajkoviç thekson se mosndryshimi i rezolutës nënkupton kundërshtime me vendet më të fuqishme të Bashkimit Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas Trajkoviçit, kundërshtimi i këtyre vendeve nga Serbia, deri më tash është treguar se tërësisht i ka shkuar për shtati fuqizimit të pavarësisë së Kosovës.
Mendoj se Serbia e ka kuptuar që pa këto vende, me siguri që largimi i Kosovës dhe vërtetimi dhe përforcimi i pavarësisë së saj do të jetë realitet. Tash Beogradi ngadalë po kërkon mënyra që me konstruktivitet dhe në marrëveshje me këto vende të gjejë zgjidhjen për problemin dhe çështjet në Kosovë.
Kështu që rezoluta, me siguri do të sjellë vetëm diçka që do të nënkuptojë thirrjen ndaj Prishtinës dhe Beogradit për të zgjidhur çështjet që janë me interes të banorëve që jetojnë në këtë hapësirë, thekson Trajkoviç.
Ndërkaq, Kërstoviç thotë se mosmarrëveshjet e Serbisë me Bashkimin Evropian lidhur me rezolutën për Kosovën dhe vetë rezoluta do ti sjellin mjaft kokëçarje Serbisë.
Çfarëdo që të ndodhë, qoftë edhe nëse rezoluta merr përkrahjen e shumicës në Asamblenë e Përgjithshme, gjë të cilën unë nuk e besoj, atëherë do të bëhet problem në marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Serbisë. Ky do të jetë vërtet një bumerang i madh për Serbinë.
Bumerang do të jetë edhe në rast se nuk kalon rezoluta, sepse atëherë vetë Serbia do ta pyesë udhëheqësinë që është angazhuar aq shumë për një rezolutë të tillë dhe nuk ka dëgjuar kurrfarë këshillash dhe propozimesh që kanë qenë nga vetë Serbia. Kjo do të jetë një problem i madh qoftë për drejtuesit aktualë, por edhe për Serbinë në përgjithësi, përfundon Kërstoviç.
NOA/RFE