Pollo: Berati, jo në flamurin e grisur të Ramës
Berati nuk do të mbetet në flamurin e grisur të Edi Ramës dhe as në xhepat e Erion Braçes. Këtë bëri dje të ditur zëvendëskryeministri z. Genc Pollo gjatë takimeve elektorale në fshatrat Kamçisht, Pashalli, Breshtan në Berat. Para banorëve të këtyre zonave, z. Pollo foli për reformat e kryera dhe angazhimet që do të ndërmarrë forca politike që ai përfaqëson, pasi të fitojë zgjedhjet në 28 qershor. Duke u shprehur i sigurt për fitoren e PD-së, z. Pollo u shpreh: “Ajo që duam ne, është që gjithë Berati të mos mbetet në xhepin e Erion Braçes apo në xhepin e ndonjë Erioni tjetër, që e ka mbajtur aty dhe nuk ka bërë asnjë gjë për të. Të mos mbetet në flamurin e grisur të Edi Ramës, që nuk guxon as të shkruajë emrin deputet dhe jo më të kandidojë për Kryeministër. Dhe nga kjo pikëpamje fitorja e demokracisë, e PD-së, e mazhorancës sonë, është më se e sigurt. Këtë e tregojnë sondazhet, por ndikon edhe një sukses shumë i madh i Partive Popullore në Evropë. Kanë fituar bindshëm në zgjedhjet e KE-së. PD-ja është e sigurt që do të fitojë zgjedhjet e fundqershorit”. Z. Pollo vijoi fushatën me takime në Urën Vajgurore, në Bashkinë e Beratit dhe në Poshnje, nga ku pohoi se do të synohet një rezultat shumë i mirë, si në vitin ‘92 dhe më mirë. “U premtua që në 2005-n do të kishte drita 24 orë në ditë dhe 12 muaj në vit, -kujtoi z. Pollo, gjatë takimit. - Kryeministri ka premtuar në Berat dhe në qytete të tjera, që nëse për 4 vjet, duke ngritur termocentrale, hidrocentrale, në familje, shtëpi, spitale, ka drita 24 orë, 4-vjeçari i ardhshëm, do të jetë 4-vjeçari i ujit. Do të ndërtohen ujësjellës gjithandej dhe në çdo shtëpi. Qyteti apo fshati duhet të kenë ujë, çezmë me ujë 24 orë në 24”. Z. Pollo përmendi dhe projektin rrugor për këtë zonë, rrugën e pagëzuar si Boshti i Jugut, që sipas tij, është investimi më i madh për Pashallinë, Urën Vajgurore e gjithë Beratin. “Kjo rrugë, - vuri ai në dukje, - do të bëjë që të shkohet prej këtu e në Tiranë për 50 minuta. Dhe prej këtu në Memaliaj, Tepelenë, Gjirokastër, Kakavijë, Përmet të shkohet gjithashtu për një të tretën e kohës që ju duhet sot. Dhe ky është çelësi i zhvillimit të ekonomisë, sepse ku ka rrugë, ka qarkullim, ka edhe investime”.