E Hënë, 2 Nëntor 2026

Topi: S´ka koalicion me LZHK

24/01/2005  Partia Demokratike, ka deklaruar dje me anë të nënkyretarit të saj, Bamir Topi, se do të bashkëpunojë në zgjedhjet parlamentare vetëm me ato parti, të cilat e kanë të qartë linjën e tyre politike. Sipas nënkryetarit demokrat, deklarata e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar dhe refuzimi i saj për bashkëpunim me PD-në, ka qenë e pavend, pasi nga ana e demokratëve, lëvizjes së drejtuar nga Leka Zogu, nuk i është bërë asnjë ftesë. Megjithatë, demokratët nuk kanë përjashtuar aleancën me PDR-në e Genc Pollos.

LZHK

Sipas Topit, Partia Demokratike nuk mund të bashkëpunojë me parti apo lëvizje partiake, që nuk e kanë të qartë se çfarë krahu duhet të mbajnë në politikën shqiptare. "Natyrisht, nuk kemi qenë ndonjëherë kundër aleancave të mundshme me parti që meritojnë të jenë në alencë me ne, por në rastin e LZHK-së, nuk ka pasur asnjë lloj ftese, qoftë nga ne, qoftë nga ata në drejtimin tonë. Prej kohësh, përfaqësues të LZHK-së janë shprehur për një pozicion ambiguiteti, që mund të bashkëpunojnë qoftë me krahun e djathtë por edhe me krahun e majtë. Për PD-në, që është pozicionur qartë në krahun e djathtë dhe është promotore e kësaj linje politike, duhet të jenë shumë të qarta edhe aleancat e mundshme. Pra, në rastin konkret, deklarata e tyre nuk ka asnjë lloj bazamenti se nuk ka pasur ftesë", tha Topi. Nga ana tjetër, deklarata e Leka Zogut, kreut të LZHK-së, pak kohë më parë, me anë të së cilës nuk përjashtonte dhe një bashkëpunim me socialistët pas zgjedhjeve të ardhshme, duket se ka mbyllur çdo shteg diskutimi, për aleanca të mundshme mes dy partive të djathta. "Nëse ka pasur prononcime të qarta për bashkëpunim me PS-në, në mënyrë kategorike mbyllen mundësinë e diskutimit", tha Topi.

PDR

Por, në rast se LZHK-së i mbyllën të gjitha dyert e bashkëpunimit me PD- në, duket se nuk ndodh e njëjta gjë me partitë e tjera të krahut opozitar, përfshi këtu edhe PDR-në e Pollos. Për demokratët, mundësia e aleancës ose e koalicionit në zgjedhjet e ardhshme, do të diskutohet me çdo parti, që ka një pozicionim të qartë politik djathtas. Lidhur me PDR-në, demokratët janë të mendimit se, mund të diskutohet mundësia e një koalicioni, në rast se këta të fundit lënë me një anë flirtet apo qëndrimet pro mazhorancës aktuale. "Për bashkëpunimin me PDR-në, asnjëherë hapësirat për bashkëpunim nuk janë të mbyllura. Por, pozicionimi i partive, të cilat kërkojnë të jenë në aleancë me partinë më të madhe të opozitës sot, por që do të jetë në mazhorancë shumë shpejt, duhet të jenë mjaft të qartë. Nëse flirtet e deritanishme lihen dhe bëhet e qartë se do të ketë një pozicionim të dukshëm në lidhje me përfaqësimin politik në zgjedhjet e ardhshme, atëherë këto janë hapësira ku mund të diskutohet", tha Topi. Ndërkohë, marrëveshjet për një koalicion mes PR dhe PD, tashmë janë të përfunduara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›