E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pollo: Shqiptarëve duhet tu kthehet besimi në shtet

07/02/2005  Reformatorët nisin fushatën në veriun e vendit

Partia Demokrate e Re, ka vijuar dje fushatën elektorale në Shkodër. Në takimet e zhvilluara, kreu i kësaj Partie, Genc Pollo, ka hedhur kritika mbi investimet e pakta që janë bërë në këtë zonë, ndërsa ka theksuar se është e nevojshme përfshirja e intelekualëve në proceset e zhvillimit të vendit. "Ne do të bëjme të qartë këtu në Shkodër, që nuk duam të vijmë në pushtet me kazmën në njërën dorë dhe me pushkën në tjetrën. Nuk jemi as jakobinë dhe as revolucionarë, që të shkallmojmë institucionet”, tha Genc Pollo. Sipas tij, është e rëndësishme që të rikthehet besimi në shtet dhe shpresa për një të ardhme më të mirë. Por, kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet luftës kundër korrupsionit dhe investimeve reale. “Por, shoqëria shqiptare pret ndryshime, pret përmirësime. Duhet të ndërtojmë besimin së këto do të bëhen me vizion të qartë, me hapa të matura dhe me progres të pandalshëm”, tha ai. Në këtë takim partiak, të parin që nga kriza e dëborës, Pollo shprehu falenderimin për punonjësit e ndihmave të cilët kontribuan me humanizëm dhe u shpreh kritik për mefshtësinë e qeverisë. Ai tha se mungesa 8 vjeçare e Rezervës se Shtetit dhe roli i papërcaktuar i Qarkut, shtuan inkompetencën e reagimit qeveritar. Në këtë takim morëm pjesë edhe Sekretaria për Partnerët, Antonieta Luli, kreu i PDR-Tiranë, Luftim Ahmetaj, si dhe shefi i organizimit, Sali Kelmendi. Së fundi, reformatorët kanë zhvilluar dhe zgjedhjet e drejtuesve të rinj në të gjitha degët, duke nisur dhe përgatitjet për fushatën e re elektorale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›