E Diel, 1 Nëntor 2026

Pollo: Votimi elektronik, i mundshëm që në zgjedhjet lokale

Deklarata Ministri i Shtetit mbështet propozimin e Kryeministrit Sali Berisha për këtë nismë

Qeveria shqiptare duket se po e shqyrton seriozisht idenë për të zhvilluar votim elektronik në zgjedhjet e ardhshme lokale. Ministri i Shtetit, Genc Pollo, deklaroi dje se qeveria ka infrastrukturën e duhur për ta aplikuar këtë sistem vitin e ardhshëm, gjatë kohës së mbajtjes së zgjedhjeve lokale. “Infrastruktura ekziston dhe nuk është shumë e kushtueshme që në çdo qendër votimi të vendosësh aparate ku me butona mund të votosh për PD, për PS, për partitë të tjera dhe ky rezultat transmetohet live, përmes protokolleve të sigurisë në Komisionin Qendror Zgjedhor, i cili gjithashtu shumë shpejt mund të japë rezultatin final për një kohë shumë të shkurtër”, shpjegoi ministri i Shtetit, Pollo. Por sipas ministrit të Shtetit, është e nevojshme që në qendrat e votimit në të gjithë vendin të vendosen edhe makinat elektronike, të cilat do të jenë të pajisura me butonat përkatës. Po kështu, ministri shpjegon se përgjatë këtij procesi nuk do të ketë më fletë votimi dhe kuti. Votimi në këtë rast, sipas Pollos, do të bëhet vetëm përmes gishtit të zgjedhësve, serverit dhe linjave të transmetimit të cilat përçohen në serverin kryesor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ministri i cili mbulon edhe çështjet e teknologjisë dhe internetit, theksoi se zgjedhjet e shkuara parlamentare të transmetuara përmes monitorëve, ishin një shembull në lidhje me mundësitë e Shqipërisë për të përparuar drejt votimit elektronik. “Struktura mund të realizohet lehtë, pasi një hap është hedhur që në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009, ku procesi i numërimit mund të kontrollohej përmes kamerave nga KQZ”, kujton ministri i Shtetit. Votimi elektronik për zgjedhjet në Shqipëri, u artikulua për herë të parë nga ana e Kryeministrit Berisha pak ditë më parë gjatë një konference për shtyp që ai zhvilloi me homologun e tij estonez. Duke qenë se Estonia është një vend i cili si pasojë e teknologjisë së avancuar ka arritur të zhvillojë edhe procesin e votimit përmes kompjuterit, Kryeministri Berisha theksoi se një eksperiencë e tillë është e nevojshme edhe për Shqipërinë. Sipas Kryeministrit, votimi elektronik do të zhdukte çdo dyshim në lidhje me parregullsi përgjatë procesit të votimit dhe numërimit më pas. Po kështu, Berisha theksoi se do të ishte e udhës që një delegacion i Parlamentit shqiptar me deputetë të majtë dhe të djathtë të shkonin në Estoni për ta parë më afër këtë proces. Në lidhje me votimin elektronik, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, theksoi se ai parimisht nuk ishte kundër, po në vend mungonte infrastruktura e duhur për ta kryer këtë votim. Duket se tashmë do të jetë vetëm vullneti i opozitës nëse zgjedhjet e ardhshme lokale do të kryen në mënyrë elektronike apo jo.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›