E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pollo prezanton kandidatët në Fier

17/05/2005  Genc Pollo ka vijuar dje prezantimin e kandidatëve për deputetë të PDR-së në Fier. Në fjalën e tij, Pollo ka vënë theksin në mbështetjen që duhet t'i jepet ekonomisë shqiptare. “Jemi për sipërmarrjen e lirë. Jemi për biznesin e vogël dhe të mesëm, dhe patjetër duhet të realizojmë një ulje taksash. Por, thelbësorja është që taksat të paguhen të tëra dhe nga të tërë në mënyrë të barabartë, pa dhënë gjë nën tryezë. Por, sfida jonë reale është që me kamxhik të përzëmë "Maliqin" nga tempulli i shtetit ligjor dhe të vendosim në fron ligjin e drejtë e të barabartë për të gjithë. Kjo është sfida jonë e madhe, një sfidë shekullore. Por, që të fillojmë të matemi me të, duhet të dalim nga këneta tetëvjeçare e maliqëve. Dhe kjo do të ndodhë më 3 korrik", tha Pollo. Kreu i PDR-së është shprehur kundër monopoleve në Shqipëri, duke theksuar se vetëm në këtë mënyrë do të arrihet në një ekonomi tregu dhe në stabilizim të çmimeve. Heqja e monopoleve, sipas Pollos, do të ndikojë dhe në rritjen e prodhimit vendas. Në tubim bashkë me nënkryetarin Tritan Shehu, kryetari i PDR, Genc Pollo, prezantoi kandidatët për deputetë, për rrethin e Fierit, Bardh Kapaj, në zonën 71, Xhevahir Shehaj në 67, Albert Shpata në 66, Riza Iliazi në 70 dhe Muhamet Lika 72.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›