E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot, dita botërore "pa duhan"

Kategoria që manipulohet më shpejt nga duhanpirja janë adoleshentët dhe të rinjtë. Sipas studimeve dhe raporteve, Shqipëria konsiderohet si një nga vendet që konsumon më shumë duhan. Adoleshentët dhe të rinjtë që pinë duhan shtohen çdo vit dhe nisur nga kjo, shëndetësia ka filluar aplikimin e taktikave të reja, për të sensibilizuar këtë kategori. Rreth 600 të rinj të trajnuar nga shëndetësia do të edukojnë të rinjtë dhe banorët e 5 qyteteve të heqin dorë nga duhani ose mos ta nisin atë.

Një ditë para ditës botërore "pa duhan", ministri i Shëndetësisë ka zgjedhur shkollën "Ismail Qemali" për të dhënë mesazhin e tij për rininë dhe në mënyrë të veçantë gjimnazistët.

Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, ka komplimentuar të gjitha iniciativat e gjimnazistëve për sensibilizim e një rinie pa duhan. "Duhet të mendoheni para se të ndizni një cigare, është shkaktarja më e madhe e vdekjeve në botë". Ky ka qenë mesazhi kryesor drejtuar të rinjve. Fokusimi i fushatës në ndërgjegjësimin e të rinjve lidhet me faktin se kjo kategori e shoqërisë është target-grupi më i pëlqyer i industrisë së duhanit. "Kjo varësi ndaj këtij produkti e rendit vendin tonë ndër shtetet me përqindje të lartë të duhanpirjes: 60% meshkuj, 18% femra, me një tendencë në rritje te femrat. Një përqindje të konsiderueshme e zënë të rinjtë dhe të rejat", tha Ndoka. Ai argumentoi se tashmë vendi ka hyrë në vitin e dytë të aplikimit të ligjit antiduhan, një tregues i një vullneti politik, i cili po ndeshet me vështirësitë e tij në zbatim. "Mbështetja e brezit të ri në luftën kundër duhanit do të jetë një kontribut mjaft i rëndësishëm në mbrojtjen e shëndetit, si një mision kushtetues dhe moto për punën tonë", u shpreh ministri. Nga ana tjetër, Ndoka vlerësoi angazhimin serioz të të rinjve në fushatën e organizuar për ndalimin dhe heqjen e reklamave të duhanit. Sipas tij, zbatimi i ligjit "Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit", ndonëse ndeshet me vështirësi në zbatim, në tërësi ka qenë i suksesshëm. Pak muaj më parë janë ngritur grupe rinore, të cilët do të sensibilizojnë bashkëmoshatarët për një jetë pa duhan. Do të jenë ata faktorët kryesorë të drejtimit të fushatave antiduhan. Sakaq, zbatimi i ligjit, ende ndodhet në vështirësi jo vetëm si pasojë e qytetarëve, por edhe moskoordinimit mes strukturave penalizuese e kontrolluese të parashikuara nga ligji.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ndalon mesazhet promocionale për këtë produkt

OBSH: Asnjë reklamë për duhanin

"Industria e duhanit ndjek strategji të tilla tregtare që kërkon t‘i mbajë të rinjtë të lidhur pas drogës së saj". Kjo ka qenë deklarata e Douglas Bettcher, drejtori i nismës "Pa duhan" i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Çdo reklamë që dashur apo pa dashur stimulon pirjen e duhanit, markat e shtrenjta apo të lira, cigaret më në modë, do të ndalohet të jepet. Dje, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka kërkuar ndalimin e çdolloj reklame të duhanit. Qëllimi i OBSH-së është të mbrojë 1,8 miliardë të reja nga tërheqja drejt metodave promocionale të cigareve, për të cilat shpenzohen miliarda dollarë dhe të rinjtë mbeten në varësi të tyre. "Për të mbijetuar, industria e duhanit duhet të zëvendësojë konsumatorët që vdesin ose ata që heqin dorë nga përdorimi i duhanit me konsumatorë të rinj, të cilët i gjejnë në radhët e të rinjve", deklaroi dje, drejtoresha e Përgjithshme e OBSH-së, Margaret Chan. Sipas saj, për këtë arsye, miliona të rinj kudo në botë bien viktimë e duhanit pa llogaritur pasojat jashtëzakonisht të dëmshme për shëndetin e tyre. Sa më shumë që të rinjtë angazhohen në reklamimin e duhanit, aq më shumë rrezikojnë të jenë konsumatorë të tij.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›