E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjahtari i imazhit të së kaluarës

Imazhe të një jete tradicionale vështirë se gjen sot në Kosovë, e mos të flasim në Evropë. Të jetuarit ka ndryshuar shumë, ndërsa vet ai mund të konsiderohet si njëri prej njerëzve të fundit që i sjell këto imazhe përmes fotografisë.

Është fjala për fotografin goxha të njohur holandez, Bert Teunissen.

Projekti i Teunissen për dokumentimin e të jetuarit në mënyrë tradicionale në Evropë, duke u nisur nga Holanda e largët e deri së fundmi Kosova, ka nisur qysh para afro dy dekadave.

“Gjithçka ka filluar në dy vende të ndryshme në jug të Francës në një kafiteri të vogël ku e kam bërë një fotografi vetëm se më pëlqente atmosfera dhe interieri, ndërsa fotografinë e dytë e kisha bërë në një fermë në vendin e lindjes. Kur i kam shikuar këto fotografi e kam vërejtur se ka ngjashmëri në atmosferë. Dhe prej këtu ka filluar ideja e gjetjes së këtyre vendeve”, shpjegon Teunissen.
Koha për të cilën po flet Teunissen është viti 1996 ndërsa tash e 14 vjet ky fotograf nuk i ik idesë së projektit të tij.

Projekti vazhdon dhe vazhdon dhe vazhdon...
Kjo do të thotë edhe një lloj flijimi sa i përket anës financiare.

Por asgjë nuk do të niste po të mos kishte lidhje emocionale mes fotografisë, fëmijërisë dhe të jetuarit të tij në një atmosferë tradicionale.

“Unë kam lindur në një shtëpi me një atmosferë të tillë. Prindërit e mi ishin dashur që ta shkatërrojnë shtëpinë kur isha 8 vjeçar dhe ta ndërtojnë një të re. Për një vjet jetova diku tjetër dhe kur erdha u gëzova sepse po vinim në shtëpinë e re. E mbaj mend kohën kur kemi hyrë brenda dhe kur kam nuhatur. Ishte krejtësisht ndryshe dhe ajo shtëpia e vjetër ku unë jetoja nuk do të kthehej më”, tregon Teunissen për Express.

Që nga ai moment Teunissen thotë se mban mend çdo gjë që përfshinte interieri i shtëpisë së vjetër deri në imtësirat më të vogla. Ndërsa atmosferën që ai e ka humbur kur ishte si fëmijë, sot e gjen dhe e dallon shumë mirë kudo që është.

“Atmosferë e cila ishte me shekuj në Evropë dhe që kishte filluar të zhduket pas Luftës së Dytë Botërore për shkak të paraqitjes së elektricitetit. Pas luftës së dytë botërore është dashur të ndërtojnë shumë shtëpi të reja dhe në mënyrë dramatike kishte ndryshuar arkitektura por edhe mënyra e jetesës”, thotë Teunissen.

Ndërsa çka bën Teunissen është e thjeshtë, ai udhëton në shtëpi të ndryshme të Evropës të cilat janë të ndërtuara sipas koncepteve të vjetra.
Teunissen ka mbajtur shumë ekspozita me këtë temë.
Të gjitha fotografitë e prezantuara në ekspozita janë para vitit 2006.

“Deri në atë kohë fotografitë janë bërë në Evropën Perëndimore, ndërsa pas vitit 2006 kam filluar të fotografoj në Evropën Lindore”, shpjegon Teunissen.
Fotografitë e bëra në Evropën Perëndimore tashmë janë ekspozuar në qendrat e botës si Londër, Paris, New York, Amsterdam ndërsa ato po vazhdojnë të shfaqen edhe në vende të tjera. Në vitin 2007, Bert Teunissen boton edhe librin me shtëpitë e Evropës Perëndimore “Domestictic landscapes – a portrait of europeana at home” botuar nga njëra prej shtëpive më të njohura të publikimit të librave të fotografisë “Aperture” në New York.

“Ideja është që të fotografoj këtë vit dhe vitin tjetër. Nëse gjej fonde atëherë shpresoj që të jetë Rusia, Ukraina dhe shpresoj Shqipëria”, tregon Teunissen planet e tij.
Cila është ndjenja kur punon me njerëz pasi je në shtëpitë e tyre?

“Ndjenja... është një ndjenjë shumë e ngrohtë. Njerëzit të lejojnë të hysh në jetët e tyre dhe t’i fotografosh ata. Për mua nuk ka formë tjetër më të mirë ta njohësh vendin dhe kulturën e një vendi”, tregon Teunissen. Si mund të rikapituloni atë që keni parë në Kosovë?

“Nuk është lehtë ta veçoj një fjalë apo fjali në mënyrë që ta shpjegoj Kosovën. Për mua është sikurse një atmosferë e cila vazhdon dhe Kosova është një pjesë e këtij rrugëtimi. Ndoshta më vonë kur shkoj në shtëpi dhe t’i shikoj fotografitë se çka kishte speciale në Kosovë”, shpjegon Teunissen. Teunissen ka udhëtuar në shumë shtëpi të rajonit të Dukagjinit dhe të Llapit. Ndërsa njëra prej pikave më interesante të Teunissen është që në shenjë falënderimi ai i dërgon çdo familje, dhe çdo anëtari të asaj familje nga një kopje të fotografisë kështu që pas disa viteve e gjithë familja mund t’i kujtojnë ato qaste. Duke u lidhur me këtë ai thotë se shtëpitë të cilat i ka fotografuar në Holandë në fillimet e projektit të tij tashmë pothuajse janë zhdukur.

A jeni ju ndoshta njëri prej fotografëve të vetëm që i keni fotografuar këtë mënyrë të vjetër të jetesës në Evropë?
“Po...mendoj që po”, thotë Teunissen për Express.

Fotografitë të cilat janë bërë në Kosovë mund të shihen në një ekspozitë të Bert nëse ai ftohet të jetë këtu. Ndërsa ftesën thotë se do ta pranonte me gjithë dëshirë.

“Absolutisht po, gjithsesi. Mendoj që është shumë e rëndësishme që në vendin ku kam fotografuar mund të shohin punën që kam bërë”, tha Teunissen në fund.

Ueb faqja e Teunissen : http://www.bertteunissen.com/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›