Xhovalin Delia: Me pikturën jetoj, me letërsinë flas
Alma Mile
Për dikë që ia njeh penelin, sprova e tij në letërsi mund t’i duket një akt donkishotesk, megjithatë për të, të shkruarit është liria e të shprehurit. Dhe ka zgjedhur pikërisht letërsinë, për t’u kthyer në Shqipëri. “Kam shumë për të thënë dhe piktura më duket pak”, - thotë Xhovalin Delia, të cilin më së shumti e njohim si piktor, por edhe si autor filmash të animuar, me metrazh të shkurtër, apo performancash artistike. Dje, në mbrëmje në ambientet e Akademisë së Arteve, prezantoi romanin e tij të ri “God Bless America”. Në një intervistë, artisti, i cili prej vitesh jeton në Itali, tregon se ç’është ky roman, provokimi që prodhon titulli në anglisht, i shoqëruar nga e kundërta e tij në gjuhën arabe, përse shkruan, etj.
Z. Delia vini në Tiranë me romanin tuaj të dytë, i cili tërheq menjëherë vëmendjen me titullin e tij, përse kjo zgjedhje?
Libri prezantohet me një titull në anglisht “God bless America” dhe më poshtë ka një titull në gjuhën arabe, i cili është një mallkim. Pra, janë dy të kundërtat, që në të vërtetë ndodhen në qendër të romanit tim. Ngjarjet fillojnë pas 11 shtatorit, kur kalendari i planetit tonë, fillon një faqe të re, kur koha nuk është lineare për të gjithë. Tamam në këtë hapësirë, mes së mirës dhe së keqes, mes luftës dhe paqes, morales dhe imorales, mundohem të luaj. Ndonjëherë kam guxuar të ç’shenjtëroj të mirën, jo për të përligjur të keqen, por për të demaskuar bonizmin. Ka një diferencë mes morales dhe moralizmit dhe së mirës dhe bonizmit. Sepse ndonjëherë e mira e të sotshmes bëhet e keqja e të nesërmes. Konvergjenca mes tyre është loja ime. Ky titull në anglisht është kthyer si në një slogan dhe fillon pas 11 shtatorit, tronditjes së madhe, në qendër të kapitalizmit perëndimor, që merr udhë pas Luftës së Dytë Botërore.
Nuk mendoni se kjo lloj qasjeje është disi provokuese?
Nuk është krejt e paqëllimtë. Ndonjëherë kur do t’i tërheqësh vëmendjen dikujt përdor intonacionin e zërit, fjalën, batutën.. Nuk do të doja të ishte spekulative dhe nuk është. Nëse kam një princip në krijimtarinë time, si në art pamor, kinematografi dhe si shkrimtar me dy vëllime, ai është ndershmëria intelektuale, artistike. Letërsinë, të cilën e shoh si mjet shumë të rëndësishëm shprehës dhe e dua më shumë edhe se piktura që është dashuria ime e vjetër, e bëj për pasion dhe jo me qëllim komercial. Letërsia është pika në të cilën unë meditoj, reflektoj dhe nëse kam dy gjëra për të thënë, ulem dhe i them. Nuk kam shtytje imediate për të siguruar mbijetesën.
Në qendër të romanit është konflikti qen-mace, ndërsa titulli prezantohet në anglisht dhe arabisht, mund të thuhet se është simboli mes Perëndimit dhe Lindjes, krishterimit dhe islamit…?
Janë të gjitha bashkë. Nuk do t’i ndaja, sepse është jeta njerëzore, ku futet filozofia, mendimi fetar dhe këto jo gjithnjë janë në harmoni. Në këtë libër nuk pretendoj të zgjidh konflikte, sepse do ta quaja atentat ndaj jetës dhe ligjeve të saj, por mundohem të gjej e kultivoj harmoninë mes të kundërtave. Qeniet njerëzore, ashtu dhe si gjithçka tjetër janë në harmoni dhe në konflikt me veten dhe të tjerët, brenda planetit dhe në raport me universin. Them se ka një ndërvartësi, që po të jemi të vemendshëm, po të mbajë seili pikën e vet si ndodh me planetet, harmonia është më afër. Nuk pretendoj për harmoni perfekte, por të bëhemi të ndërgjegjshëm për rolin që kemi në gjithësi.
Përse keni vendosur dy kafshë në qendër të librit?
Duke qenë i orientuar drejt së vërtetës, dua të ndërtoj një mendësi dhe këtë e kërkoj në eksperiencën e mendimit njerëzor nga antikiteti në postmodernizëm dhe kur nuk mjafton kjo, kërkoj ndihmë tek gjallesat e tjera. Jam rritur me qen e me mace, jam bir natyre dhe këtu kam një mace me emrin Buba. Ishte një mace endacake. Konflikti qen-mace është një metaforë, një konflikt natyral. Kam bërë një kërkim të gjatë mbi ta. Gurk është një emër kurd, që do të thotë ujk nga paraardhësit e tyre. Ata nuk kanë inate, por është një luftë mbijetese. Janë konflikte që nuk kanë zgjidhje. Pra, ka ca kontradikta, të cilat unë nuk dua t’i zgjidh. I ngre dhe ia ofroj lexuesit dhe tërheq vëmendjen, duke kërkuar që të mbajë një qëndrim. Nuk jam për luftë, jam për paqe, por jam realist dhe e di që ajo është e përkohshme.
Pse nisët të shkruanit, nuk ju mjaftonte më telajoja, apo mediumet ku ju operonit, për t’u shprehur?
Ka një rrjedhë disi dialektike edhe kjo gjë. Ashtu si çdo fëmijë fillon të vizatosh, pastaj mrekullia e ngjyrës të kërkon të animosh imazhin statik. Këtu kam zbuluar mrekullinë e filmit. Kur ndodhi ajo shembja e madhe e murit të Berlinit pata një shkëputje nga filmi, nga kinemaja dhe dallga më çoi tjetërkund. Letërsia është kthyer si duket në një mjet, që mund të shprehesh në heshtje. Është një fushë e gjerë ku gjej imazh, ngjyrë, film, tingull dhe fjalë. Ndoshta është mjeti i fundit dhe për mua. Letërsia ime, nëse konsiderohet e tillë, është më shumë imazh sesa fjalë. Edhe pse nuk jam profesionist, fjalës i kushtoj një vëmendje të madhe, jo vetëm për ta qëndisur, por për të gjetur të duhurën. Ajo që më shqetëson është fakti që ne shqiptarët nuk dimë të flasim. E them me dhimbje. Nuk gjen një shqipe me logjikë të qartë, të qetë dhe në këtë pikë unë bëj çmos realisht.
Ndërsa tentoni në mënyra të tjera shprehjeje, cila është marrëdhënia juaj me pikturën?
Piktura është gruaja ime. E dashuroj akoma. Megjithëse nganjëherë termi grua është spekulativ, ndërsa e dashur është më e nxehtë. Dhe ka një lloj të vërtete. Ne shqiptarët jemi moralistë të thekur, por nganjëherë jemi edhe të pamoralshëm. Fjala grua në publik lartësohet, ndërsa në publik… I njëjti raport është edhe me pikturën. Për mua ai është kali i betejës. Njeriu ka shumë ambicie, por ka edhe detyrime dhe unë jam familjar, kam një grua, një vajzë dhe duhet të përmbush detyrimet e mia. Dhe pastaj të bredh pas hoveve artistike, pas filmit, letërsisë, etj. Me pikturën jetoj.
Do të ktheheni në Shqipëri me pikturë?
Kur vi në Shqipëri kam shumë për të thënë dhe piktura më duket pak. Më duket sikur tregoj një fotografi të timen, një profil madje.
Libri
“God Bless America”, titullohet romani i dytë i piktorit Xhovalin Delia. Romani, një botim i shtëpisë botuese “Dituria”, është i ndarë në disa kapituj, titujt e të cilëve janë në gjuhë të ndryshme, përveçse në shqip, edhe në anglisht, italisht e latinisht. Autori shpjegon se nuk është ekzibicionizëm, për një mënyrë për të nxjerrë rrënjët e konfliktit qysh në antikitet.