Zbulohet servisi i cmontimit te makinave te vjedhura ne Fushe Milot

Tre persona ne pranga
Tiranë, 11 Shkurt, 13:00, NOA - Policia e Tiranës ka zbuluar një organizatë të vjedhjeve të makinave që më pas çmontoheshin në në servis. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës tha për agjencinë NOA se, gjithashtu janë gjetur dhe 31 makina të llojit “Benz”, që janë marrë për verifikime.Në një komunikim me mediat, Arben Nasufi, shef i Seksionit të Kontrollit të Territorit dhe Patrullës së Përgjithshme në Tiranë tha se, duke vlerësuar si përparësi rritjen në maksimum të Sigurisë Publike dhe goditjen e individëve e grupeve kriminale që kryejnë krime kundër personit dhe pasurisë, gjatë këtij viti ka intensifikuar punën e saj, ku brenda këtij muaji, janë evidentuar dhe goditur mbi 100 autor dhe 4 grupe kriminale, të cilët kanë kryer vepra penale kundër pasurisë, si vjedhje, vjedhje banese, vjedhje makine, vjedhje me armë etj.
Kështu, gjatë mbrëmjes së djeshmes, seksioni Kundër Vjedhjes së Automjeteve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë numër 3, Tiranë, mundësuan zhvillimin me sukses të operacionit të koduar “Anteo”, duke vendosur në pranga shtetasit .
Bukat Ymeri, 42 vjeç, lindur dhe banues në Kurbin
Arjan Zefi, 20 vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në Laç
Urim Jella, 27 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë
Arrestimi i tyre u krye pasi këta shtetas u kapën në flagrancë nga shërbimet e Komisariatit numër 3, duke tentuar të vjedhin automjetin tip “Benz”, në rrugën “Mine Peza”. Këta persona dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin të kenë vjedhur dhe automjetin tip “Benz” 240 në shkurt 2009, në rrugën “Ali Demi” Tiranë.
Policia tha se, nga puna operative dhe procedurale, është bërë e mundur gjetja e mjetit “Benz” 240 , në Fushë Milot, në servisin e Bukat Ymerit. Pas kontrollit të ushtruar në këtë servis u konstatuan dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale për verifikime të mëtejshme,
31 mjete të markës “Benz”, pa dokumente përkatës, të cilëve u kishin ndryshuar numrat e shasisë.
Ndërkohë, nga strukturat e hetimit te krimit, vazhdon dokumentimi i aktivitetit kriminal, si dhe i lidhjeve shoqërore të tyre. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “vjedhjes”.
c.a/NOA