Poni: Italia na mbështet për heqjen e regjimit të vizave
Shqipëria është vlerësuar për procesin e pajisjes së shtetasve me dokumentet e reja të identitetit, pasaportat biometrike. Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, në një prononcim për median thekson se nisur nga ky vlerësim, si dhe nga mbështetja që i ka dhënë Italia, shteti shqiptar do të kërkojë që të përfshihet në grupin e vendeve që do të përfitojnë nga liberalizimi i vizave. Sipas tij, sigurimi i mbështetjes të një prej anëtarëve të BE-së, Italisë. Poni sqaroi pas përfundimit të takimit të ministrave të Brendshëm të vendeve të Evropës Juglindore, se kërkesa vjen pas realizimit të detyrave nga vendi ynë. “Deri në fund të gushtit kanë aplikuar për pasaporta biometrike mbi 170 mijë shtetas, ku mbi 150 mijë prej të cilëve janë prodhuar. Kjo na lejoi të kërkonim që Shqipëria, pavarësisht mbledhjes së Komisionit Evropian të qershorit, pse jo të trajtohet në bllok dhe të ketë një zgjidhje të përbashkët për gjithë rajonin. Mbështetjen dhe përkrahja që në konferencë ministri Maroni dha për Shqipërinë, dhe për vlerësimet maksimale për ecurinë e deritanishme për procesin, si dhe interesin e veçantë të Italisë që Shqipëria ta përfitojë këtë së bashku me shtetet e tjera”, deklaroi Poni. Ministri i Brendshëm italian, Roberto Maroni, dy ditë më parë, pas përfundimit të konferencës duke vlerësuar punën e deritanishme, theksoi se “Shqipëria dhe Bosnja kanë ende punë për të përfituar nga heqja e vizave”. “Italia është e gatshme të ndjekë Shqipërinë, në mënyrë që nga 1 janari i vitit 2010 ajo të përshtatet me normat që duhen për liberalizimin e vizave”, deklaroi ministri Maroni.