E Shtunë, 31 Tetor 2026

Portali albanologjik

Në mesin e muajit të ardhshëm, në Prishtinë do të bëhet promovimi i portalit albanologjik Shqipëri-Kosovë. Portali është rezultat i marrëveshjes së nënshkruar pak ditë më parë në Tiranë për krijimin e tij. Nga Alfred Beka më 08 mars 2011 në ora 11:13

Shqipëria dhe Kosova tash e tutje do të kenë portal të përbashkët albanologjik. Ky portal vjen si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet dy bibliotekave kombëtare - asaj në Tiranë dhe asaj të Prishtinës.
Përmes një komunikate për shtyp, BKUK bënë të ditur se marrëveshja për krijimin e portalit albanologjik Shqipëri-Kosovë u nënshkrua në Tiranë, në kuadër të bashkëpunimit kulturor të institucioneve qendrore të bibliotekarisë së dy shteteve, duke u mbështetur në Rezolutën e Konferencës Kombëtare të Bibliotekonomisë - ‘Shkenca e bibliotekave dhe Albanologjia’.

Marrëveshja është nënshkruar nga drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Aurel Plasari, dhe nga Sali Bashota, drejtor i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës.
Në ceremoninë solemne ishin të pranishëm personalitete të njohura të jetës politike, kulturore e shkencore të Shqipërisë, përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, përfaqësues të Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, etj.

Duke folur për rëndësinë e krijimit të portalit të përbashkët albanologjik, ministri shqiptar i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Ferdinand Xhaferaj, ndër tjera, tha se me përmes portalit të përbashkët ne po krijojmë një hapësirë të unifikuar, e cila përdoruesve dhe lexuesve përtej dhe këtej kufirit u jep mundësi që të kenë qasje në burimet albanologjike.

“Në aktet e marrëveshjes synohet që të dy institucionet të bashkëndihmojnë në informimin e përdoruesve për bazën kombëtare të të dhënave të dy bibliotekave përkatëse, si dhe të ushtrojnë ndaj njëra-tjetrës të drejtën e shkëmbimeve të informacionit bibliografik të karakterit albanologjik, në radhë të parë të objekteve të digjitalizuara, si dorëshkrime, antikuarë, harta, fotografi, periodikë”, sqarohet në komunikatën e BKUK’së.

Po ashtu, bëhet e ditur se në këtë drejtim të dy institucionet do të nxisin edhe implementimin e teknologjive të reja të informacionit në proceset dhe shërbimet bibliotekare, ndërkaq Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë do të ofrojë ndihmesë profesionale dhe shkencore për përparimin e procesit të digjitalizimit në Kosovë, nëpërmjet organizimit të seminareve apo veprimtarive trajnuese në Tiranë e Prishtinë.
“Kjo marrëveshje synon të përmbledhë dhe të vënë në funksion të të gjitha llojeve të lexuesve, portalin e librit albanologjik, duke synuar që jo vetëm të dy institucionet e dy shteteve, por edhe arbëreshët dhe diaspora të jenë të inkuadruar në këtë projekt të librit shqip në të gjitha fazat e zhvillimit, botimit, por edhe mundësisë që të gjithë përdoruesit të marrin informacionin e shpejtë, të saktë dhe efikas”, është shprehur Sali Bashota, drejtor i BKUK’së.

Përmes kësaj marrëveshjeje, të dy institucionet kryesore bibliotekare të dy shteteve - duke u mbështetur në kushtet e shoqërisë së informacionit dhe të teknologjive të reja - do të përshpejtojnë realizimin me sukses të detyrave funksionale, që lidhen me rolin e tyre si ndërmjetëse mes dijes albanologjike dhe informacionit të pafund që bartin koleksionet gjegjëse, nga njëra anë, dhe lexuesit që i përdor ato, nga ana tjetër.
Pra, duke u mbështetur në këtë marrëveshje, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës do të bashkëpunojnë me ekipe të caktuara profesionale për krijimin e portalit të përbashkët Shqipëri – Kosovë, i cili do të ofrojë qasje në burime bibliografike, si libra, artikuj, harta, dorëshkrime etj., apo në burime digjitale të karakterit albanologjik.

Promovimi i portalit albanologjik Shqipëri-Kosovë do të bëhet në kuadër të edicionit të nëntë të manifestimit ndërkombëtar: “Java e Bibliotekës në Kosovë”, i cili do të mbahet në Prishtinë, nga 12 deri më 16 prill 2011. Kjo veprimtari organizohet nga Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë dhe, gjithsesi, është manifestimi kryesor i vitit për bibliotekat në Kosovë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›