E Shtunë, 31 Tetor 2026

Porto Romano, pas rehabilitimit më e pastër

Për të marrë pjesë në këtë inaugurim, dje në zonën e Porto Romanos ka qenë i pranishëm edhe kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu

DURRËS Zona përreth ish-ndërmarrjes kimike në Porto Romano ka dalë tashmë nga harta e vendeve me ndotjen më të lartë. E cilësuar si një nga 7 zonat më të ndotura në Evropë, zona në fjalë tashmë është plotësisht e rehabilituar, pas një ndërhyrjeje 1-vjeçare që është kryer në këtë vend. Me anë të një fondi prej 276 500 000 lekë, financime të Mbretërisë së Holandës dhe qeverisë shqiptare dhe me mbështetjen e Bankës Botërore, është mundësuar pastrimi i sipërfaqes së kontaminuar nga mbetjet kimike, janë prishur godinat e vjetra dhe më pas të gjitha këto dhera të ndotur janë groposur në një kapsulë të ndërtuar enkas për këtë qëllim. Për të marrë pjesë në këtë inaugurim, dje në zonën e Porto Romanos ka qenë i pranishëm edhe kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu. Sipas projektit që është prezantuar dje, e gjithë sipërfaqja e kontaminuar që është pastruar është 52 000 m2, volumi i dherave të gërmuar që janë depozituar në kapsulë si dhe volumi i godinave të shembura të kontaminuara është 55 500 m3, ndërsa janë ripaketuar dhe transportuar pesticidet, lindan dhe squfur, afro 54 tonë. Në fjalën e tij kryeministri Berisha ka theksuar se “Inaugurojmë një vepër jashtëzakonisht të rëndësishme për shëndetin e banorëve të Porto Romanos dhe qytetit të Durrësit. Është realizuar inkapsulimi i mbetjeve të rrezikshme për shëndetin dhe jetën e njeriut. Qeveria do të bëjë gjithçka për një mjedis sa më të shëndetshëm të banorëve në vend. Çështjen e mjedisit duhet ta shndërrojmë në një çështje jete për fëmijët dhe jetën tonë”. Berisha ka folur më pas se, megjithëse treguesit e mjedisit mund të jenë më të mirë se ato të fushave të tjera në vendin tonë, kjo nuk duhet të na kënaqë, sepse ne duhet të kemi si ambicie standarde më të larta për mbrojtjen e mjedisit. Çështja e mjedisit do të marrë përgjigje kur ajo të bëhet çështje e secilit prej nesh”. Berisha ka folur edhe për derdhjen e ujërave të zeza në det nga hotele apo subjekte të tjera, gjë që e ka cilësuar të patolerueshme. “Ftoj çdo qytetar dhe biznesmen që në veprimtarinë e tij të përditshme të mendojë për ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit. Duhet të fitojmë garën me vendet e Europës për mbrojtjen e mjedisit, duhet të shënojmë suksese gjithnjë më të mëdha, për të qenë në rregull me mjedisin ku jetojmë”, ka përfunduar ai. A.K.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›