Zjarrfikësit, nevojitet korsi e posaçme për raste emergjente
ELBASAN Reparti i zjarrfikësve në Elbasan ka marrë një sërë masash për përballimin me sukses të stinës së nxehtë dhe sezonit turistik. Sipas shefit të këtij reparti, Aleksandër Hodo, ekziston infrastruktura e nevojshme për përballimin e situatave emergjente, edhe pse mjetet janë amortizuar dhe ka nevojë për pajisje të reja. Gjatë kësaj periudhe është bashkëpunuar ngushtë me Policinë e Shtetit, pushtetin vendor, komunitetin dhe institucionet në shkallë rrethi. Për sezonin turistik është realizuar një takim i gjerë në prefekturë, me praninë e të gjithë aktorëve qeverisës, komunave dhe bashkive si dhe specialistë të fushave. Bashkëpunimi deri më tani ka qenë i frytshëm dhe pa problem, në lidhje me jetën e qytetarëve. Hodo ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve, të cilët në pikat turistike, nga pakujdesia lënë ndezur zjarre të cilat bëhen më pas shkak për shpërthimin e flakëve. Megjithatë edhe në Elbasan ka një problematikë, e cila është evidente në të gjitha rrethet. Në sezon veror, në ditë festash dhe në kohën e kthimit të emigrantëve problem mbeten trafiku. Shefi i zjarrfikësve në Elbasan shprehet se është e nevojshme që të ekzistojë korsia e emergjencave për zjarrfikëset dhe autoambulancat, pasi çdo minutë e humbur është me pasoja të paparashikueshme
Veç zjarreve, reparti i zjarrfikësve në Elbasan jep ndihmën e parë në aksidente, përmbytje e situatë emergjente për komunitetin. F.S.