E Shtunë, 31 Tetor 2026

Posta Shqiptare, ndihmë nga Italia

Drejtori i përgjithshëm i Postës Shqiptare, z. Arqile Gorea, ka zhvilluar një vizitë treditore në Itali, ku është takuar me drejtuesit e postës italiane. Takimi u zhvillua vetëm një ditë pas kthimit të Kryeministrit italian Berluskoni nga Shqipëria. Berluskoni u ka kërkuar drejtuesve të Postës Italiane që të ndihmojnë Postën Shqiptare. ”Këto që po shoh unë, duhet t’ua tregoni dhe drejtuesve të Postës Shqiptare, që dhe ata të shkojnë drejt standardeve evropiane. Për këtë, i lipset ndihma jonë. Të jeni të hapur që të tregoni gjithçka që ata kërkojnë. Duhet të ofroni gjithë asistencën e duhur dhe të ofroni bashkëpunim në çdo aspekt të nevojshëm për Postën Shqiptare, që ajo së shpejti të jetë në të njëjtin nivel me standardet tona”, – ka thënë z. Berluskoni. Mesazhi i lënë nga Silvio Berluskoni në përurimin e një qendre të monitorimit për Postën Italiane në Romë i është komunikuar drejtorit të përgjithshëm të Postës Shqiptare, Arqile Gorea, në vizitën e tij zyrtare 3-ditore në Itali, nga vetë presidenti i Postës Italiane, Masimo Sarmi.

Gjatë takimit të tij në Itali, z. Gorea ka biseduar në lidhje me bashkëpunimin mes vendeve. “Në Itali punon dhe jeton një komunitet i madh shqiptarësh, të cilët për asnjë çast nuk i humbasin lidhjet e tyre me Shqipërinë. Edhe në vendin tonë ndodhet një komunitet i madh investitorësh italianë, që nga Shqipëria mbajnë lidhjet me gjithë botën. Në kuadrin e marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve dhe perspektivës së qartë të bashkëpunimit, dy kompanitë marrin angazhim për t’u shërbyer sa më mirë komuniteteve tona. Shqipëria mund të bëhet një pikë e fuqishme transiti për shërbimet postare në Ballkan dhe më gjerë”, – deklaroi ai, duke shtuar se në kuadrin e bashkëpunimit ekzistues prej vitesh mes dy postave tona, me ftesë të Postës Italiane u zhvillua një takim bilateral, me qëllim shkëmbimin e eksperiencave mes dy administratave.

“Posta Italiane është modeli ynë. Nga investigimet tona ka rezultuar se modeli i Postës Italiane në kushte aktuale, ku ndodhemi ne, është më e mira, pasi nga eksperienca e postbankave të tjera krijuar me kapital privat, me fillimin e aktivitetit të Postbankës janë okupuar asetet dhe është nxjerrë jashtë loje posta. Modeli i saj është modeli i bashkëjetesës midis shërbimit postar dhe atij financiar”, – tha z. Gorea.

Bashkia e Tiranës

Hap siparin për përzgjedhjen e 10 personaliteteve të vitit

Bashkia e Tiranës do të vijojë edhe këtë vit të organizojë konkursin për “10 personalitetet e vitit 2008”. Një vit më parë, personat që fituan këtë titull u përzgjodhën direkt nga qytetarët e Tiranës, me anë të postës së thjeshtë dhe asaj elektronike. Kështu, emra të njohur nga fusha të ndryshme u nderuan nga Bashkia e Tiranës dhe qytetarët e saj, në një mbrëmje gala, të organizuar enkas për këtë ngjarje. Duke filluar nga data 10 dhjetor, pa kritere të ngurta, por me arsyetim të thjeshtë dhe njerëzor, secili ka të drejtë të propozojë dhe votojë persona të njohur apo qytetarë të thjeshtë, të cilët i kanë ofruar Tiranës me veprën e tyre modeste. Njerëzit që do të propozohen, pavarësisht nga profesioni, gjinia apo pozicioni i tyre shoqëror, duhet të jenë shembull frymëzimi për të tjerët. Ata duhet të jenë mbi të gjitha qytetarë të mirë; duhet të jenë ata që i japin diçka më shumë komunitetit. Ky votim do të qëndrojë i hapur deri më datë 24 dhjetor dhe mund të bëhet me postën e thjeshtë në adresën: Kabineti i kryetarit, Bashkia e Tiranës, bulevardi “Dëshmorët e kombit”, postë elektronike (e-mail): 10@tirana.gov.al dhe dorazi: pranë zyrës së Informimit Qytetar.

.

Çelen programe të reja masteri në Vlorë

Këshilli i Ministrave ka miratuar dje hapjen e dy programeve të reja të masterit të nivelit të parë në Universitetin e Vlorës. Këshilli i Ministrave vendosi “hapjen e programeve të studimit, master i nivelit të parë në mësuesi, për ciklin e lartë të arsimit bazë, në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë, në Fakultetin e Edukimit në lëndët Gjuhë angleze dhe Gjuhë italiane. Për këtë vit kuotat e pranimit do të jenë 120 në secilën prej dy degëve. Tarifa e shkollimit do të jetë 40 mijë lekë të reja, ndërsa invalidët, të verbrit, ish-të përndjekurit, jetimët etj. do të paguajnë vetëm 50% të tarifës”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›