Takimi, policia italiane, ndihmë asaj shqiptare në luftën ndaj krimit të organizuar
Policia italiane do të ndihmojë atë shqiptare në luftën ndaj krimit të organizuar dhe trafikut të lëndëve narkotike. Gjatë takimit të zhvilluar ditën e djeshme midis drejtorit të Përgjithshëm të Antidrogës italiane, Stefano Beretoni dhe kreut të Policisë së Shtetit, Ahmet Premçi, u fol për bashkëpunimin midis dy palëve dhe ndihmën që do i jepet policisë shqiptare. Drejtori i Përgjithshëm i Antidrogës së policisë italiane u shpreh se eksperiencën që ajo zotëron do t’ia transmetojë edhe policisë shqiptare. “Italia ka një eksperiencë të konsiderueshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe në luftën kundër narkotikëve dhe këtë eksperiencë ne duam ta ndajmë me të gjithë ato vende që përballen me të njëjtin problem”, – theksoi ai. Drejtori i Përgjithshëm i Antidrogës së policisë italiane garantoi gjithashtu gjithë mbështetjen teknike dhe në planin trajnues për Policinë Shqiptare, veçanërisht për sektorin e policisë shqiptare të specializuar në luftën kundër drogës. Gjithashtu, policia shqiptare do të vazhdojë që të bashkëpunojë me atë italiane në luftën kundër drogës. Në takimin e zhvilluar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, dy drejtuesit e lartë dhanë një deklaratë të përbashkët për shtyp gjatë së cilës vunë në dukje bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe të suksesshëm ndërmjet policive të të dyja vendeve. Gjatë kësaj konference për shtyp, kreu i Policisë së Shtetit u shpreh se bashkëpunimi midis dy palëve do të vazhdojë. “Jam këtu para jush për të shprehur të njëjtën gjë që i sigurova dhe drejtorit të Antidrogës së Policisë Italiane, që Policia Shqiptare do të jetë e angazhuar maksimalisht për të pasur një bashkëpunim tepër të suksesshëm me policinë italiane. Ky bashkëpunim ka njohur rezultate mjaft të mira vitet e fundit. Do të vazhdojmë të intensifikojmë punën për të pasur një bashkëpunim të drejtpërdrejtë, të vazhdueshëm dhe efektiv, me qëllim që të jemi të suksesshëm në luftën kundër grupeve kriminale të krimit të organizuar dhe trafikut të drogës që vepron në të dyja vendet”.
Po ashtu zoti Prençi theksoi se gjatë takimit të zhvilluar ka falënderuar drejtorin e Antidrogës së Policisë Italiane për të gjithë ndihmën e madhe që ka dhënë Policia Italiane për Policinë Shqiptare, si në trajnimin e personelit, ashtu dhe në ndihmën me mjete të teknologjisë dhe logjistikës, që është një element i rëndësishëm për të finalizuar operacionet antidrogë.
Po ashtu zoti Prençi theksoi se gjatë takimit të zhvilluar ka falënderuar drejtorin e Antidrogës së Policisë Italiane për të gjithë ndihmën e madhe që ka dhënë Policia Italiane për Policinë Shqiptare, si në trajnimin e personelit, ashtu dhe në ndihmën me mjete të teknologjisë dhe logjistikës, që është një element i rëndësishëm për të finalizuar operacionet antidrogë.