Posta Shqiptare, nismë për zonat e përmbytura. Pollo jep 1 mln lekë

Tiranë, 19 janar, NOA Në shenjë solidariteti
për banorët e zonave të përmbytura të zonës veriperëndimore të vendit, Posta Shqiptare
ka ndërmarrë një projekt për të lehtësuar qarkullimin e ndihmës së çdo
qytetari. Falë kësaj nisme çdo qytetar që ka mundësi të
ndihmojë banorët e zonave të përmbytura të Shkodrës e rrethinave të saj mund të
shfrytëzojë të gjitha filialet e Postës Shqiptare. Për të lançuar këtë projekt, ministri i
Shtetit Genc Pollo dhe drejtori i Postës Shqiptare, Arqile Gorea ishin sot në
Postën Nr.8 në Tiranë.
Posta Shqiptare ka iniciuar skemën e solidaritetit
për të gjithë banorët e Shkodrës, - u shpreh Ministri Pollo për mediat, - të
cilët u prekën nga përmbytja dhe tanimë, me përmbylljen e fazës së emergjencës
është momenti që të shprehim kujdesin, vëmendjen, dashurinë, pra solidaritetin
dhe të dhurojmë për fëmijët, gratë, të moshuarit, familjet në nevojë.
Më tej, ai shtoi se shërbimi bankar i Postës
Shqiptare, i cili ka një numër filialesh në vend, më të madh se të gjitha
bankat e tjera në Shqipëri, është në dispozicion të kësaj fushate solidariteti,
duke qenë i sigurt do të japë frytet e veta dhe do të lehtësojë vuajtjen duke mundësuar
rifillimin normal të jetës së qytetit të Shkodrës dhe në komunat e nën Shkodrës.
n.e/NOA