E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të hënën përgjigjja për 13 të dyshuarit me AH1N1

Përgjigjja rumune për gripin e derrit do të mund të mbërrijë në Shqipëri vetëm ditën e hënë. Kështu pohojnë autoritetet shëndetësore, të cilat së bashku me këto përgjigje do të paraqesin edhe buletinin e radhës mbi gjendjen epidemiologjike të virusit të ri AH1N1 që po kërcënon mbarë botën.

Përgjigjet e analizave të fundit rreth personave të dyshuar me virusin AH1N1 në vendin tonë priteshin të mbërrinin këtë javë nga laboratori rumun, ku kanë shkuar për ekzaminim të nëntipit. Por, përfaqësues pranë Institutit të Shëndetit Publik, thonë se ato janë vonuar nga pala rumune, e cila merret me konfirmimin e të gjitha analizave për vendet e Europës Juglindore. Përgjigjet e

analizave duhej të bëheshin publike ditën e premte rreth mesditës. Ndaj, në vendin tonë, aktualisht, situata e përhapjes së gripit pandemik nuk ka ndryshuar. Ajo mbetet e njëjtë, tetë persona të konfirmuar dhe 13 të dyshuar, analizat e të cilëve kanë rezultuar me grip të tipit A. Katër persona nga 13 rastet kanë paraqitur shenja pas kthimit nga jashtë vendit, 8 raste nuk referojnë udhëtime jashtë apo lidhje epidemiologjike, që të faktojnë rrugën e infektimit, një rast ka qenë kontakt i një rasti të dyshuar. Tri raste janë identifikuar jashtë Tiranës, dy në Vlorë dhe një në Sarandë. Por, fatmirësisht, sipas autoriteteve të shëndetësisë, gjendja e tyre shëndetësore është e mirë, pasi edhe shenjat klinike që kanë shfaqur pacientët kanë qenë të lehta, temperaturë jo shumë e lartë, dhimbje koke dhe fyti. Nga këto raste, vetëm dy persona u shtruan në spital dhe për pesë të tjerë u fillua trajtimi me tamiflu. Aktualisht, në Institutin e Shëndetit Publik vazhdon analizimi i 320 mostrave, të marra te persona që kanë shfaqur shenja të gripit. Fluksi i madh i mostrave ditët e fundit e ka rritur edhe shqetësimin e mjekëve, të cilët tashmë e kanë të vështirë të fillojnë trajtimin me tamiflu të pacientëve, pasi analizat nga laboratori i virologjisë në ISHP dalin me vonesë nga afati që duhet të fillojë përdorimi i saj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›