Postmortum për skenografin e nostalgjisë
Një nga skenografët legjendarë të teatrit është kujtuar mbrëmë në mjediset e Teatrit Kombëtar, nga një grup miqsh, personalitete dhe njerëz të teatrit. Shaban Hysa, që njihet si një nga skenografët më aktivë, piktor, ka qenë ndër të parët që ka shkelur në Teatrin Kombëtar, duke shoqëruar vizualitetin skenik, dhe më vonë kalon në Teatrin e Operës dhe Baletit. Shaban Hysa lindi më 30 shtator të vitit 1938 në Tiranë dhe vdiq më 28 gusht të vitit 2005, ishte piktor dhe skenograf i njohur shqiptar.
Studimet e mesme i kreu në liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë, më 1957. Nga viti 1957-1961 kreu studimet e larta në Varshavë në Akademinë e Arteve të Bukura, ku diplomohet për piktor skenograf. Në 1961, pas diplomimit, emërohet skenograf në Teatrin Kombëtar dhe në 1963 kalon në TOB. Që nga viti 1967 punoi si pedagog në Akademinë e Arteve. Aktiviteti i tij krijues shtrihet në të gjitha gjinitë e skenografisë dhe të pikturës, si pjesëmarrës në aktivitete teatrore, por edhe në ekspozita kombëtare, ku është nderuar me mjaft çmime. Punoi mbi 50 skenografi në Teatrin e atëhershëm të quajtur Popullor, ku veçohen pjesët: “Furrnalta”, “Monserati”, “Romeo e Zhuljeta”, “Prometeu”, “Shkallët”, “Valsi i Titanikut”, “Vdekja e Dantonit”, “Rikardi III”, “Besa”, “Oportunesku”, “Tiranozauri”, “Gjethja”, “Streha e të harruarve” etj. Mbante titullin “Artist i merituar”.