Vdes nëna e tre fëmijëve, dhunohet nga bashkëshorti i dehur
E qëlluar barbarisht me mjete të forta, e përplasur në dysheme dhe pre e një dhune mizore nga bashkëshorti i saj, një 33-vjeçare nga fshati Armen i Vlorës ka humbur jetën. Më pas, autori i kësaj ngjarjeje, Maksim Hodaj, është larguar në drejtim të paditur dhe po kërkohet nga policia e qytetit bregdetar. Sipas burimeve nga uniformat blu, viktima është shtetasja Irma Hodaj. Çifti Hodaj kishin edhe tre fëmijë së bashku. Pas ekspertizës së kryer, rezultoi se viktima nuk kishte arritur që të mbijetonte si pasojë e frakturave të shumta që kishte marrë dhe nga përplasjet në dysheme. Policia ka ngritur postblloqe dhe po punon për kapjen e bashkëshortit 36-vjeçar, i etiketuar tashmë si vrasës i së shoqes.
Ngjarja
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, në banesën e familjes Hodaj në fshatin Armen të Vlorës. Maksimi ishte kthyer vonë në shtëpi. Ai kishte kaluar mbrëmjen në një lokal në fshat duke pirë. Ka hyrë në banesë, ndërkohë që pak më vonë brenda kanë filluar të dëgjohen të bërtiturat e para. Sipas banorëve të tjerë në shtëpitë afër të fshatit, të dy kishin filluar që të debatonin me njëri-tjetrin. Më pas, 36-vjeçari, i cili mendohet se ishte në gjendje të dehur ka filluar që të ushtrojë dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Ai ka filluar ta qëllojë atë më grushte e mjete të forta. Gjithashtu, viktima është përplasur barbarisht disa herë në dysheme, duke pësuar dëmtime të mëdha në trup. Dhuna ka vazhduar për disa minuta, duke bërë që nëna e tre fëmijëve të binte në tokë pa ndjenja e në gjendje tepër të rëndë shëndetësore. Ndërkohë që 36-vjeçari është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, me qëllim për t’u larguar. Ndihma e parë ndaj 33-vjeçares ishte e kotë, pasi goditjet e marra i kishin shkaktuar asaj vdekjen. Në vendngjarje shkoi edhe policia, e cila nisi nga puna për arrestimin e agresorit.
Ekspertiza
Trupi i së ndjerës u transportua për në morgun e qytetit, për të kryer ekspertizën mjekësore. Sipas burimeve, 33-vjeçarja kishte pësuar fraktura të shumta në trup dhe dëmtime në kokë, të gjitha këto të shkaktuara nga përplasja disa herë në dysheme dhe goditja me mjete të forta në kokë, të cilat kishin sjellë edhe vdekjen. U ngrit një grup pune, i cili ka nisur hetimet në lidhje me ngjarjen, ndërkohë që janë ngritur kudo postblloqe për të kryer arrestimin e 36-vjeçarit.