Zanetti mbron Leonardon

Kapiteni i Interit, Javier Zanetti i ka dalë në mbrojtje trajnerit të kritikuar Leonardo, pas humbjeve të thella nga Milan dhe Schalke 04. Sezoni i Nerazzurrëve pësoi goditje të rënda në ditët e kaluara, pas disfatave 3-0 nga Milan që i la pata pesë pikë prapa liderit në Serie A e më pas u befasuan 5-2 në shtëpi nga Schalke, në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Pavarësisht humbjeve, kapiteni Zanetti thotë se Leonardo është njëri i duhur për ta udhëhequr Interin. “Ai është njeri i vërtetë, është person i shkëlqyeshëm në çdo kuptim, ai ka besim te ne dhe ne i besojmë atij”, tha Zanetti për Inter Channel. Ai shtoi se Leonardo është përgjegjës për serinë pozitive të ekipit pas largimit të Rafael Benitezit.
“Prej kur erdhi këtu, ne jemi ringjallur dhe besojmë se duhet të mbetet këtu sepse na pëlqen. Të gjithë jemi të hidhëruar për humbjet nga Milan dhe Schalke, por ky ekip ka fituar në gjashtë vitet e fundit dhe mendoj se disa njerëz vetëm prisnin shfaqjen e vështirësive të para për të filluar me kritikat e tyre. Por, ne e dimë se si shkojnë gjërat dhe fatmirësisht do të ngjitemi mbi gjëra të caktuara”, përfundoi ai.