Pozitë-opozitë, debate të ashpra për buxhetin 2009
Tiranë- Projekt buxheti i vitit 2009 ka shkaktuar debate të ashpra mes pozitës dhe opozitës gjatë mblehdjes së sotme në Komisionin e Ekonomisë.
Ministri Ritvan Bode gjatë prezantimit të këtij buxheti para komisionit e ka cilësuar atë realist dhe konservator. Deklaratë që ka hasur në kundërshtimin e fortë të opozitës, e cila duke u mbështetur në parashikimin e FMN-së, për tkurrjen e rritjes ekonomike për vitin që vjen, e ka quajtur atë një draft me shumë rreziqe. Rreziqe, që sipas deputetit socialist Erion Braçe shtohen po të marrësh parasysh edhe krizën globale.
"Rritja juaj ekonomike u vu në dyshim, pasi më parë keni llogaritur rritje 6 për qind, ndërkohë që tani u referua se pritshmëria mund të jetë 3.7 pëër qind",- tha Braçe.
Sipas tij, në planifikimin e këtij buxheti nuk ka para të mjaftueshme për të kredituar ekonominë dhe për të mbuluar efektet e nivelit të varfërisë.
Sipas Bodes, të ardhurat në buxhetin e shtetit për vitin 2009 janë parashikuar në 333 miliard lekë, duke shënuar nivelin më të madh historik, sa dyfishi i të ardhurave në vitin 2004, ndërsa shpenzimet llogariten 383 miliard lekë rritje në total të tyre.
Ai ka theksuar se rritja e nivelit të shpenzimeve për investime erdhi për shkak të programimit më të mirë dhe kapaciteteve të ministrive për investime dhe rritjes së të ardhurave të buxhetit.
Arsimi dhe shëndetësia, sipas tij do të jenë sektorët kyc, tek të cilët do të përqendrohet edhe vëmendja.