Zvarriten gjyqet e Ruzhdies dhe Portzës
Ashtu siç dhe pritej edhe dje, seancat e radhës për gjyqet e shumëpërfolura të Ruzhdies dhe të Portzës janë shtyrë. Shkak për këtë, ashtu si edhe në seancat e mëparshme, ka qenë mungesa e avokatëve mbrojtës, si dhe parregullsitë për njoftimin e dëshmitarëve.
Kështu, në orën 11:00 të së mërkurës, në mjediset e Gjykatës së Shkallës së Rrethit Gjyqësor Fier ka nisur procesi për çështjen e Ruzhdies. Gjyqtari Roland Jaupaj nisi seancën e radhës duke bërë prezencën e të paditurve dhe të avokatëve mbrojtës të tyre.
Pikërisht mungesa e tre prej tyre ka bërë që edhe seanca e 7 korrikut të ketë të njëjtin fat me atë të tetë seancave të tjera të regjistruara që nga muaji shkurt, kur nisi gjykimi për këtë çështje. Avokatët që mungonin ishin z. Hajdërmataj që mbron tre përfaqësuesit e djathtë të qendrës së votimit 30-52 Ruzhdie; R. Plaku që mbron përfaqësuesin e PS-së, Pëllumb Ferzën, si dhe E. Toska që përfaqëson Qazim Aliajn, po të PS-së. Prokurori i çështjes, çlirim Sino, kërkoi shtyrjen e seancës së radhës dhe tha se trupi gjykues duhet të marrë vendim për mungesat e vazhdueshme të avokatëve, që kanë shkaktuar zvarritje pafund.
Ndërkohë, po dje ishte lënë për t’u zhvilluar edhe gjyqi i Portzës. Ish-nënkryetari i KZAZ-së së Patosit, Kamber Nezha, i cili është thërritur për të dëshmuar lidhur me gjyqin e nisur ndaj gjashtë komisionerëve të Portzës, përfaqësues këta të dy qendrave të votimit që nuk zhvilluan zgjedhje më 28 qershor, nuk ishte njoftuar. Oficeri i policisë gjyqësore nuk ka mundur të gjejë adresën e Kamber Nezhës dhe për rrjedhojë është shënuar edhe shtyrja e seancës së radhës për çështjen e Portzës. Plot 15 persona janë nën gjykim për çështjet “Ruzhdie” dhe “Portëz”, ndërkohë që gjyqet po zvarriten deri në kapjen e afateve të pushimit të çështjeve.
#