Mjekimi i pakujdesshëm, 3 vjet burg mjekut
Gjykata e Tiranës ka dënuar me tre vjet burg mjekun e Spitalit Ushtarak N.F., pasi dyshohet se ka mjekuar gabimisht një 31-vjeçare, duke i shkaktuar vdekjen. Historia daton në fillim të vitit 2007, kur pacientja Rakela V., ka shkuar në spital me trauma të forta dhe me shenja në të gjithë trupin. Shoqëruesi i viktimës i ka thënë mjekut se e ka qëlluar me shpullë pas një zënke të vogël dhe nuk duhet të merakosej. Prokuroria dyshonte fillimisht se djali i ka dhënë një shumë prej 50 mijë lekësh të reja mjekut, i cili i ka pranuar.
“Vajza ka shkuar me hematoma, gjakderdhje, thyerje të nofullës dhe të nxira në trup dhe mjeku nuk e ka lajmëruar policinë, pasi ka marrë 50 mijë lekë të reja dhe pas mjekimit e ka lënë të shkonte në banesë. Vetëm 10 minuta rrugë kanë bërë nga spitali dhe vajza ka ndërruar jetë”, parashtroi në gjykatë prokuroria, duke kërkuar për mjekun dënimin e tij me 4 vjet burg për “mjekim të pakujdesshëm” dhe 1 vit burg për akuzën e “korrupsionit pasiv”, pasi ka pranuar se ka marrë të holla. Vendimi i djeshëm i Kolegjit Penal të Gjykatës së Tiranës, i kryesuar nga gjyqtari Petrit çomo, e dënoi mjekun vetëm për akuzën e “mjekimit të pakujdesshëm”, duke i dhënë masën e dënimit me 3 vjet burg dhe 3 vjet heqje e të së drejtës së ushtrimit të profesionit.
Ndërkohë, çështja e personit që i ka dhënë të hollat mjekut është ndarë nga gjykimi, dhe V.H., është dënuar me 18 muaj me kusht për akuzën e “korrupsionit pasiv”. Familjarët e kanë akuzuar këtë person në prokurori për vrasjen e vajzës së tyre, Rakela V., e cila ka ndërruar jetë më 6 prill 2007 në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Ajo ka shkuar me plagë të shumta në fytyrë dhe trup, ndërsa mjeku i ka dhënë vetëm disa qetësues. Pas disa çastesh, 31-vjeçarja ndërroi jetë, ndërsa në kartelë mjeku ka shkruar se ka pas atak në zemër nga droga, por akt-ekspertimi mjekoligjor ka nxjerrë që në gjak nuk kishte drogë.
#