Pranga 63-vjeçarit tutor, shfrytëzonte bashkëshorten
Durrës
Bashkëshorti tutor i nënës së fëmijës së tij adoleshent dhe grave të tjera, Mexhit Këputa, e kishte shndërruar apartamentin e tij në një banesë publike, ku burra në moshë shuanin epshet e tyre kundrejt një vlere prej një mijë lekësh të reja. Antitrafiku i Durrësit ka goditur natën e së mërkurës një vatër prostitucioni në qytetin bregdetar, e cila drejtohej nga një 63-vjeçar me origjinë nga rrethi i Matit. Informacionet operative kanë zbuluar apartamentin ku Mexhit Këputa shfrytëzonte bashkëshorten e vet, 42-vjeçaren L. Këputa dhe një grua 55 vjeçe Xh. B. nga Shijaku. Në kuadrin e operacionit “Banesa 21”, agjentët e antitrafikut në bashkëpunim me prokurorinë, kanë arrestuar Këputën në apartamentin e tij në lagjen 6 të Durrësit, si dhe kanë kapur në flagrancë duke ushtruar prostitucion gruan e tij dhe 55-vjeçaren nga Shijaku. Ndaj këtyre të fundit ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për ushtrim prostitucioni. Nga kontrolli në banesë u gjetën dhe u sekuestruan tre aparate celulare të të proceduarve, 125 000 mijë lekë të reja, 70 euro, 11 dollarë, 20 paund, 132 prezervativë, 2 pako kontraceptivë oralë, një armë gjahu etj., Nga hetimet rezulton se Këputa i ka shfrytëzuar dy gratë prej afro një viti, ndërsa po hetohet edhe për shfrytëzim të grave të tjera për këtë qëllim prej tij.
#