E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga agresorëve që plagosën "heroin" shqiptar

Tre të mitur italianë janë arrestuar për agresionin ndaj studentit shqiptar të ndodhur pak ditë më parë përpara liceut "Aristotel" të kryeqytetit italian, Romë. Grupi i gjykatës së minorenëve të Romës ekzekutoi dje masën e sigurisë burg për tre të rinjtë, të cilët goditën me thikë Ermirin, 17 vjeç. Ata akuzohen për tentativë vrasjeje. Mediat italiane bënë të ditur se ngjarja ndodhi më 16 janar 2009. Ermiri, u qëllua me thikë nga një grup të rinjsh, të cilët sipas të dhënave të hetimit donin t‘i vidhin motorin një prej shokëve të adoleshentit shqiptar. Ermiri kishte ndërhyrë dhe kishte mbetur i plagosur. Adoleshenti iu nënshtrua menjëherë një operacioni në mushkëri, i cili i shpëtoi dhe jetën. Të ardhur nga qyteti i Durrësit 10 vite më parë familja e Ermirit ishte vendosur në Trigoria të Italisë. Pas ngjarjes, policia sekuestroi mjetet e forta mes të tjerave një levë hekuri, një thikë dhe një pistoletë gjysmautomatike, të cilët agresorët kishin tentuar t‘i zhduknin së bashku me rrobat që ishin bërë me njolla gjaku. Studenti, që po ndiqej nga agresorët, ishte një mik i Ermirit dhe pas një debati ka tentuar të hyjë brenda ambientit të liceut. Agresorët e kanë ndjekur deri aty dhe kanë nxjerrë një thikë, pastaj një bajonetë dhe në fund një pistoletë për të terrorizuar qoftë të rinjtë e pranishëm, qoftë edhe studentët që po dilnin nga orët e mësimit. Por, në këtë kohë, ka ndërhyrë Ermiri, i cili është plagosur. Ai është cilësuar si një hero nga media italiane. Madje, ai njihej në shkollë si një djalë model.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›