E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga arkëtares dhe elektricistit, vodhën paratë

 

Kolonjë, Ali Kardhiqi e Dezdemona Naçe janë të arrestuarit me akuzën e mashtrimit e të shpërdorimit të detyrës

KOLONJË- Një elektricist dhe një arkëtare në Leskovik kanë përfunduar në prangat e policisë, pasi grabisnin lekët e arkëtimeve të qytetarëve. Gjithçka është zbuluar pas dyshimeve të krijuara nga drejtuesit e ndërmarrjes elektrike në qytetin e Leskovikut, ndërkohë që dy kolegët mes të cilëve dhe një femër me detyrë arkëtare kanë mundur të vjedhin rreth dy milionë lekë. Ali Kardhiqi dhe Dezdemona Nace janë të arrestuarit nën akuzën e mashtrimit dhe të shpërdorimit të detyrës.

Elektricisti dhe arkëtarja prej disa vitesh punonin pranë ndërmarrjes elektrike në qytezën e vogël të Leskovikut, ndërsa kishin zgjedhur një mënyrë për të siguruar më shumë të ardhura, ndonëse në mënyrë të pandershme. Arkëtarja Dezdemona Nace e ndihmuar nga kolegu i saj Ali Kardhiqi merrnin për vete të gjitha paratë e faturave që mblidhnin nga banorët e zonës. Vetëm kur banorët janë ankuar për ndërpjerjen e energjisë elektrike është mësuar edhe skema e mashtrimit të arkëtares dhe elektricistit. Ankesa të tilla në Leskovik kishin nisur të bëhen më të shpeshta duke u kthyer në një fenomen shqetësues. Sipas burimeve të policisë lokale, mësohet se janë me dhjetëra fatura, ndonëse të paguara, që nuk figurojnë aspak si të tilla pas arkëtimit që kryente e arrestuara. Abonentët familjarë rezultonin në librezat e tyre me fatura të paguara, por nuk ndodhte kështu në regjistrin themelor të ndërmarrjes, ku këta abonentë rezultonin të ishin debitorë ndaj KESH-it. Pas hetimit të rasteve, drejtoria e kësaj ndërmarrjeje nuk arrinte të gjente ngërçin e krijuar, ndërsa pasi është kuptuar hileja e përdorur nga arkëtarja e vetme në këtë qytet ka kërkuar dhe ndihmën e policisë. Kështu drejtuesit e ndërmarrjes kanë kryer dhe një denoncim duke kryer të gjitha veprimet pa u marrë vesh nga askush.

Burimet zyrtare të policisë saktësojnë se prangosja e dy punonjësve të ndërmarrjes elektrike ka ndodhur gjatë paradites të djeshme në sportelin e vetëm të pagesave të faturave të energjisë elektrike. Elektricisti Ali Kardhiqi në momentin e arrestimit ka qenë duke punuar me bashkëpunëtoren e tij. Atëherë ka ndërhyrë policia e cila ka arrestuar të dy punonjësit në kushtet e flagrancës. Të dy të arrestuarit, banorë të qytetit të Leskovikut, nuk kanë pranuar asgjë, ndërsa disa momente më pas gruaja e traumatizuar është përpjekur të mbrohet duke thënë se kishte tërhequr një shumë të vogël parash për një arsye familjare. Pas prangosjes se dy bashkëpunëtorëve, burime të policisë sqarojnë si mbi ta rëndon akuza e mashtrimit dhe shpërdorimit të detyrës për përvetësimin e një shumë të hollash nga arka e KESH-it në Leskovik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›