Zihet me shokët në repart, ushtari tenton vetëvrasjen
Lushnje përveç ushtarit 19-vjeçar, në spital ka përfunduar edhe një 15-vjeçare e cila kishte konsumuar helm bujqësor
LUSHNJE- Një ushtar nga fshati Bedat i Lushnjes është vetëhelmuar dje pas një sherri me shokët e repartit. Djali 19- vjeçar nuk ka duruar dot presionin dhe talljet duke kaluar në depresion. Burimet zyrtare të policisë pohuan se Marenglen Hoxha, 19 vjeç, ka pirë helm vdekjeprurës për t’i dhënë fund jetës në kushte të një depresioni mendor, pas fyerjes që i kanë bëre shokët në repartin ushtarak në Vërtop të Beratit.
Sipas disa të afërmve të viktimës, sherret në repart janë përsëritur disa herë dhe Marengleni nuk ka duruar më, por ka gjetur një zgjidhje, e cila dhe për pak sa nuk përfundoi tragjikisht. I riu ka filluar të kryejë detyrën ushtarake rreth gjashtë muaj më parë dhe gjatë kësaj kohe marrëdhëniet me moshatarët e tij nuk kanë qenë të mira. I vetëhelmuari është dërguar menjëherë në reanimacion për t’i dhënë ndihmën e parë mjekësore. Sipas mjekëve toksikologë, gjendja shëndetësore e ushtarit është e rëndë dhe po i jepet ndihmë intensive për të ruajtur dhe përmirësuar parametrat jetësorë në mënyrë që t’i kthehet jetës normale. Ndërkohë, rreth orës 08.00 të mëngjesit të djeshëm, në reanimacionin e Lushnjes është dërguar me urgjencë edhe një adoleshente. Marsida Rrasa, 15 vjeç nga fshati Gradishtë është vetëhelmuar me lëndë fosforganike në banesën e saj. Sipas familjareve që e shoqëronin 15-vjeçaren në urgjencë, vajza ka pirë helm me të cilin spërkasin bimët bujqësore në përgjigje të një sherri banal në shtëpinë e saj. Adoleshentja është ndier keq kur ka kuptuar veprimin e helmit në trup dhe pas kësaj ka kërkuar ndihme për ta shpëtuar nga rreziku për jetën. Mjekët reanimatorë nuk japin siguri për jetën, pasi helmi qe ka pirë ka qenë në sasi të madhe dhe është e vështirë të normalizohen treguesit organikë brenda një kohe të shkurtër.
Një studim i kryer nga mjekët e Lushnjes ka treguar se në këtë rajon numri i vetëvrasjeve me helme të ndryshme është disa herë më i madh se ai i vrasjeve me armë zjarri. Kryesisht është përdorur helmi i fostoksinës, i cili gjatë dy viteve të fundit ka shënuar 15 viktima. Kryesisht vetëhelmimet janë kryer nga adoleshentët dhe në 75 për qind janë të seksit femër.