Rekordi i Beqajt, 5 ndeshje pa gol
Arjan Beqaj, portieri i Kombëtares shqiptare, po kalon një formë të shkëlqyer dhe këtë e ka treguar jo vetëm në radhët e përfaqësueses, por edhe te skuadra e tij Anorthosisi Famagusta. Gardiani kuqezi nuk ka pësuar asnjë gol në pesë ndeshjet e fundit, duke e mbajtur për 450’ minuta të paprekur portën. As Ibrahimoviç i Suedisë në eliminatoret e kampionatit botëror e as Diego i Verder Bremenit në Ligën e Kampioneve nuk kanë arritur të shënojnë në kuadratin e mbrojtur nga shqiptari. Në pesë takimet e fundit, ai ka qenë i pakalueshëm për kundërshtarët. Një rekord personal për 33-vjeçarin Beqaj, i cili është shpallur dy herë portieri më i mirë i kampionatit qipriot në dy sezonet e fundit. Beqaj i vuri “drynin” portës së tij përballë një gjiganti evropian si Verderi me emra të tillë si Diego e Sanogo. Portieri i Kombëtares sonë kuqezi, ashtu si në ndeshjet e fundit të ekipit të tij, ishte një nga të dalluarit e formacionit të Temuri Ketsbaia. Gjermanët patën disa mundësi të mira, por Beqaj me paraqitjen e tij u tha “jo” lojtarëve të Verder Bremenit.