Qeveria lë pa përgjigje pyetjet e BE-së për krizën
Erald Kapri
Vijimi i protestave dhe situatës aktuale politike mund të vonojë përgjigjen e Bashkimit Evropian për statusin e vendit kandidat. Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu tha dje se në 2284 pyetjet që BE i ka adresuar Shqipërisë, situata aktuale politike nuk është e pasqyruar. "As Brukseli dhe as ne nuk e dinim që opozita herë do të hynte dhe herë do të dilte nga Parlamenti, as Brukseli dhe as ne nuk e dimë sot e kësaj dite që opozita do të hyjë për të qëndruar në Parlament, apo do të hyjë vetëm për të folur për kutitë në Parlament, apo do të dalë nga Parlamenti. Nuk mund të kishte pyetje për një sjellje anormale, sepse dokumenti nuk pyet për parashikim", tha Bregu.
Qeveria pritet që javën e ardhshme të miratojë mbylljen e procesit të plotësimit të pyetësorit të BE-së, e më pas të dorëzojë përgjigjet në Komisionin Evropian. Situata aktuale politike ku ende nuk ka një kompromis mes palëve, mund të ndikojë në vonesën e përgjigjes së BE-së mbi përgjigjet e dërguara nga Shqipëria. Sipas ministres Bregu, nuk do të ishte e ndershme që të kishte një vonesë në kthimin e përgjigjes për Shqipërinë nisur nga situata aktuale politike e cila nuk po gjen zgjidhje. "Sigurisht, nuk ishte ajo që duhej të ndodhte në këtë moment kur ne po plotësonim detyrimet tona zyrtarisht përballë Komisionit Evropian. Të mos kishim pasur një situatë politike e cila lë mundësi për të kërkuar më tej përmirësim, ndërhyrje, zgjidhje të krizës. Pra, do të kishte qenë idealja që ne të kishim dëshmuar një, le të themi, mundësi dhe realitet bindshëm për Evropën. Njerëzit që janë angazhuar nuk janë pak por janë 1200, dhe nuk numëroj këtu nëpunësit e Ministrisë së Integrimit. Dhe sigurisht nuk është as për ta e ndershme, një punë në të cilën u ka marr orë dhe ditë të tëra më shumë se tre muaj rresht, të rrezikohet ose të ketë një vonesë në dhënien e mendimit për faktin se një opozitë e një lideri të papërgjegjshëm ka kryer një sjellje politike të papërgjegjshme për muaj me radhë", u shpreh Bregu.
Aktualisht Ministria e Integrimit konfirmon se pyetësori është drejt përfundimit dhe javën e ardhshme Qeveria do të miratojë kapitujt e fundit. Kanë mbetur edhe 5 kapituj pa u miratuar ende në Qeveri, që kanë të bëjnë me pjesën me kryesore të pyetësorit pasi janë përgjigjet për pjesën politike, atë ekonomike si dhe të drejtësisë në vendin tonë. Me marrjen e pyetësorit, Bashkimi Evropian mund të kërkojë përgjigje të tjera dhe të dërgojë pyetje shtesë. Vijimi i kësaj situate politike mund të ndikojë tek Brukseli për të kërkuar më shumë kohë, por që sipas ministres Bregu, situata aktuale politike nuk u parashikua nga askush që do të zgjaste deri në këtë pikë. "Nuk mundet që në pyetësor të përfshihet trendi se çfarë do të ndodhte me Shqipërinë apo me krizën politike. Nuk do të thotë që Brukseli rinte me laps në dorë për të mbajtur shënim gjithë lëvizjet absurde të opozitës. Në 16 dhjetor, as Brukseli dhe as ne nuk e dinim sa do të zgjaste bojkoti", u shpreh më tej Ministria e Integrimit Majlinda Bregu.