Shantazh doganierit, burg pa afat gazetarit
GJIROKASTER - Gjykata e Gjirokastrës ka lënë në burg Julian Gjinajn nga Shkodra për korrupsion pasiv, ndërkohë që ka lënë të lirë me detyrim paraqitje në prokurori, të atin e gazetarit të arratisur të "Fisk Fare", Bashkim Dushin. Seanca e djeshme gjyqësore për masën e sigurisë ndaj dy shkodranëve, ka zgjatur 2 orë, ku ra në sy një luftë argumentesh dhe kundër argumentesh nga ana e palës mbrojtëse e të pandehurve dhe e prokurorit të çështjes, Arben Pashaj. Avokati i të pandehurve Aurel Celibashi, ka kërkuar lirimin në sallë të gjyqit të dy klientëve të vet dhe zhveshjen nga akuzat e ngritura nga ana e Prokurorisë për dy të arrestuarit, si dhe për personin e tretë të arratisur nga vendngjarja, Ervin Dushi. Në fund, drejtuesi i seancës, Arqile Basho, vendosi për Gjinajn, arrest në burg pa afat, ndërsa për të atin e gazetarit të Fiksit, detyrim për paraqitje dy herë në muaj. "Burg pa afat", në mungesë, ka dhënë edhe për gazetarin, i cili dyshohet se është arratisur drejt Greqisë një ditë pas arrestimit të Gjinajt dhe të atit të tij. Ngjarja ka ndodhur disa ditë më parë kur të arrestuarit u ndaluan me akuzën e kryerjes së shantazhit ndaj një doganieri në Kakavije për publikimin e një materiali komprometues në emisionin "Fiks Fare", në dëm të tij. Si këmbim ata kishin kërkuar 2000 euro që prova filmike mos të transmetohej. Deri më tani organet hetimore nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme për këtë ngjarje duke e mbajtur në konspiracion të plotë. Pritet që vetëm në fund të hetimit të bëhet e ditur mbi brendinë e materialit, me të cilin sipas dyshimeve, i bëhej presion doganierit. p.n