E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga edhe për dy policë,bashkëpunuan me të arratisurit

14/02/2005  Asnjë gjurmë për Bujar Dakën

SHKODËR – Janë arrestuar edhe tre persona të tjerë në lidhje me arratisjen e tre të burgosurve që ndodheshin në qelitë e paraburgimit të policisë së Shkodrës. Midis të arrestuarve, janë edhe dy punonjës të tjerë policie

Vllezërit Neçaj

Përveç tre vëllezërve Kujtim, Fatmir e Pal Neçaj, sot është bërë e mundur edhe kapja e vëllait të katërt të tyre, Prelës, i cili po mundohej që t’i shpëtonte forcave të policisë në fshatin Bardhaj të Shkodrës, ku edhe kishin bërë shtëpinë dhe banonin vëllezërit nga Tropoja. Ata janë arrestuar nga policia të akuzuar për ndihmesë të elementëve kriminalë, për t’iu shmangur kapjes nga policia pas arratisjes.

Sipas burimeve që dalin nga policia, Daka, pasi është arratisur na qelitë e paraburgimit, është shkëputur nga dy të arratisurit e tjerë dhe ka marrë në telefon celular, të cilin e ka pasur me vehte, vëllezërit e Dedë Neçajt, shok burgu i Dakës. Me telefonatën e tij, ai i ka kërkuar ndihmë këtyre vëllezërve, që i janë përgjigjur menjëherë duke i gjetur dhe një makinë tip “Opel” me taksist Andrea Pistullin, edhe ky i arrestuar më pas nga forcat blu të Shkodrës, saktësuan dje burimet e policisë lokale. Vëllezërit Neçaj, jo vetëm e kanë ndihmuar të largohej nga rrethinat e Komisariatit por, edhe e kanë strehuar atë për një natë.

Policët e arrestuar

Dje, është sërish nga policia e Shkodrës, janë arrestuar edhe dy punonjës të tjerë të Komisariatit të Policisë Shkodër, Hysni Hasan Elezi, komandant i togës së ruajtjes së sigurisë në dhomat e paraburgimit si dhe Kolë Toma, përgjegjës i dhomave të izolimit. Këto dy punonjës policie u arrestuan “për mos zbatim të rregullores dhe mos kontrollim të dhomave të izolimit”, bënë të tur burimet e policisë lokale.

Arrestimi i tyre erdhi menjëherë pas kontrollit që iu bë dhomave të paraburgimit në këtë komisariat. Gjatë kontrollit që u ushtrua në këto dhoma u gjetën celularë, karikues dhe radio dore, gjë që bie ndesh me rregulloren sipas së cilës, këto mjete janë kategorikisht të ndaluara të futen në qelitë e paraburgimit.

Ndërkohë, megjithë takimin e bërë dje mes përfaqësuesve të policisë dhe të paraburgosurve për ndërprerjen e grevës së urisë që nisi një ditë më parë në dhomat e paraburgimit, grevistët nuk pranuan të ndërpresin protestën e tyre.

Kushtet e vështira në dhomat e paraburgimit, e kanë detyruar Komisariatin e Policisë Shkodër, që t’i bëjë një kërkesë Ministrisë së Rendit, për të marrë masa, për të përmirësuar sa më parë gjendjen e papërballueshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›