E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Shqipëria, në rreth vicioz të rritjes së PBB"

Rritja e ulët e kreditimit mund ta fusë Shqipërinë në një "rreth vicioz" në një periudhë afatmesme, pasi prodhon ritme të ulëta të rritjes ekonomike, zvogëlon ritmin e rritjes së kursimeve dhe ul kërkesën për kredi. Ky është mendimi i guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i cili sugjeroi që vendi ka nevojë për "optimizëm" për të kapërcyer pasojat që la pas kriza ekonomike dhe financiare botërore. Fullani foli dje para krerëve të bankave private në Shqipëri dhe kërkoi prej tyre "më shumë përgjegjësi në kryerjen e rolit të tyre në rritjen ekonomike të vendit".

Fullani paralajmëroi gjithashtu se "Shqipëria po ecën drejt një niveli të ri ekuilibri", por nuk sqaroi se për çfarë ekuilibri bëhet fjalë, ndërsa prezantoi bankat me një skemë të re të mbikëqyrjes së rrezikut, e cila synon të përcaktojë rregulla të veçanta për grupe bankash të veçanta, bazuar në parimin se disa banka kanë rëndësi më të madhe për stabilitetin e sistemit e për pasojë, kanë nevojë edhe për mbikëqyrje të posaçme. Dialogu mes Fullanit dhe krerëve të bankave u krye pa praninë e medias.

Rrethi vicioz

Shumë ekspertë kanë paralajmëruar se Shqipëria nuk rrezikohet vetëm nga pasojat afatshkurta të krizës ekonomike dhe financiare botërore, të cilat kanë reduktuar ritmin e rritjes ekonomike të vendit nga 6 në më pak se 1 dhe kanë sjellë rënie remitancash, rritje të borxhit publik, zhvlerësim të lekut dhe norma të larta interesi. Sipas ekspertëve, pasiguria makroekonomike e krijuar së fundmi, mund t‘i mbajë investitorët dhe individët larg investimeve afatgjata, të tilla si ndërtim kapacitetesh të reja prodhuese apo blerje pronash të paluajtshme, gjë që në vetvete nënkupton rritje të ulët ekonomike. Shqipëria ka shijuar një rritje ekonomike prej 5.5 përqindësh gjatë dekadës së fundit, me potencial për rritje reale prej 6-7 përqindësh në vit. Pavarësisht kësaj, Shqipëria mbetet ende vendi më i varfër në Europë pas Kosovës. Rreziku është që vendi të mos ketë burime financiare të mjaftueshme për të financuar një rritëm të tillë rritjeje. FMN parashikon që rritmi i rritjes do të jetë vetëm 2.2 për qind në vitin 2010, ndërsa Banka Botërore vlerëson se rritja e dobët në vendin tonë do të vijojë së paku deri në vitin 2011.

Ndërhyrjet anticiklike

Sipas guvernatorit Fullani, zgjidhja për një situatë të tillë mund të gjendet te thithja e investimeve të huaja të drejtpërdrejta dhe te "ndërhyrjet anticiklike".

Ish-guvernatori i BSH-së, Shkëlqim Cani, duke diskutuar një perspektivë të tillë disa kohë më parë, tha se "Shqipërisë ndoshta i duhet të rikonceptojë tërësisht kuadrin makroekonomik, përfshirë programin afatmesëm të nivelit të borxhit publik".

Ndërhyrjet anticiklike konsistojnë në financimin e ekonomisë përmes kanaleve të ndryshme, (zakonisht huamarrje ose kufizim i shpenzimeve operative të qeverisë) për të formuar kursime publike që përdoren për investime. Por ndërhyrje të tilla kërkojnë aftësi të lartë vendimmarrjeje politike e financiare në vend, shoqëruar me kapacitete shkencore për analizimin e situatave, gjë që tani për tani duket se Shqipëria nuk i ka. Këshillat që BSH ka ofruar për qeverinë gjatë këtij viti kanë rënë në vesh të shurdhët. Qeveria ka vijuar një politikë të veçantë ekonomike, që ka shkaktuar një pjesë të luhatshmërisë në kursin e këmbimit të lekut. Strategjitë makroekonomike të Shqipërisë janë përgatitur deri më sot pothuajse ekskluzivisht nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe kjo është hera e parë që Shqipëria duhet të hartojë një strategji pa mbikëqyrjen e rreptë të FMN-së.

Niveli i ri i ekuilibrit

Fullani deklaroi dje se ekonomia shqiptare "po ecën drejt një niveli të ri ekuilibri", por theksoi se ecja drejt këtij ekuilibri të ri "duhet të jetë e qetë". Guvernatori nuk e shpjegoi më gjatë se çfarë është ky nivel i ri ekuilibri, por zakonisht me një term të tillë nënkuptohet kursi mesatar i këmbimit valutor, që ndikon në nivelin e konsumit dhe në bilancin tregtar e valutor të vendit. Euro kushtoi dje në tregun shqiptar mesatarisht 137.83 lekë, sipas kursit fiks që publikohet në mesditë nga Banka e Shqipërisë. Ky është niveli më i ulët i lekut që nga viti 2003. Sipas ekspertëve të këmbimit valutor, dje në treg u vunë re shenjat e para të stabilizimit dhe ritmi ditor i zhvlerësimit të lekut ishte shumë i ulët në krahasim me ditët e shkuara. Në këtë kuotë, leku vlen 12.2 për qind më pak se sa kursi mesatar i vitit 2008, kur një euro kushtonte 122.8 lekë. Në rast se leku do të qëndrojë në këto nivele, atëherë pritet të ndikojë në të gjithë ekonominë shqiptare nga disbalancat e jashtme deri te xhepi i konsumatorit. Të ardhurat reale të shqiptarëve kanë reduktuar në këtë mënyrë, gjë që do të sjellë reduktimin e konsumit, si dhe reduktimin e aftësisë së tyre investuese. Korrektimi i kursit të këmbimit përbën edhe një formë taksimi për shqiptarët.

Nevoja për optimizëm

Guvernatori Fullani bëri dy deklarata të veçanta në fjalimin e djeshëm: Nga njëra anë i sugjeroi drejtuesve të bankave në mënyrë indirekte të mos merrnin veprime mbrojtëse ndaj "ecjes drejt ekuilibrit të ri" dhe nga ana tjetër theksoi se "kapërcimi i pasojave të krizës kërkon optimizëm nga të gjithë". Optimizmi ka qenë kryefjala e deklaratave të Bankës së Shqipërisë gjatë javëve të fundit.

Rregulla të reja për bankat

Bankat në Shqipëri pritet të përballen me një kuadër të ri rregullash që do të vendosen nga BSH dhe do të përcaktojnë llojet ose përmasat e investimeve me rrezik që bankat private mund të ndërmarrin. Sipas Fullanit, rregullorja e re bazohet në parimin që banka të ndryshme duhet t‘i nënshtrohen rregullave të ndryshme në varësi të peshës që ato kanë në sistemin bankar. Kështu, një bankë e madhe do t‘i nënshtrohet rregullave të ndryshme nga rregullat e vlefshme për një bankë të vogël. Fullani deklaroi se bankat do të detyrohen të zbatojnë edhe standarde më të larta transparence përballë klientëve për të gjithë gamën e shërbimeve që ofrojnë. BSH ka hedhur disa hapa të rëndësishëm në këtë drejtim, duke i detyruar bankat të informojnë në mënyrë të kuptueshme klientët mbi kostot reale të shërbimeve që ofrojnë apo mbi rreziqet që këto shërbime mbartin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›