Pranga ish-juristit të Kuvendit, merrte para për të liruar një të dënuar
Një ish-jurist i Kuvendit të Shqipërisë ka përfunduar në prangat e policisë, pasi mashtronte njerëzit se do i ndihmonte për të liruar njerëzit e tyre. Albert Xhuti prezantohej si njeri që kishte shumë njohje me gjykatësit dhe që mund të ndryshonte vendimet për të dënuarit, por që ta realizonte këtë detyrë i duheshin para. Megjithatë, kjo veprimtari është denoncuar në polici dhe ditën e djeshme ai është vënë në pranga nga oficerët e Antikrimit Ekonomik.
Burimet policore shpjeguan se pak kohë më parë janë vënë në dijeni për veprimtarinë e Xhutit, i cili vepronte si avokat dhe ka qenë jurist i Kuvendit të Shqipërisë. Sipas të dhënave, ai takohej me njerëz që kishin persona të dënuar dhe hynte ndërmjetës për t’i liruar. Kështu, ai ka kontaktuar edhe me familjen e Iliaz Begës, i dënuar me 21 vjet burg për vrasje të dyfishtë. Atyre, duke u premtuar se njihte gjykatësit, dyshohet se u kishte premtuar se do i ulte dënimin të dënuarit. Por, për këtë veprim ai ka kërkuar 10 mijë euro. Sipas të dhënave policore, familja e Begës ia ka dhënë këto para, por Xhuti nuk ka bërë asgjë për t’i ndihmuar. Në këto kushte është regjistruar një kallëzim penal për të dhe vetëm katër ditë më parë Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Albert Xhutin, i cili është arrestuar dje. Sipas të dhënave policore, ka prova të dokumentuara se ai ka kryer veprën penale të vjedhjes me anë të mashtrimit, ndërkohë që nuk është vërtetuar nëse ai ka ndërhyrë te gjykatësit për të kryer veprime korruptive.
Pas shoqërimit në polici, oficerët e kanë marrë në pyetje në lidhje me aktivitetin kriminal, por ai nuk ka pranuar ndonjë nga akuzat. Tashmë pritet të dalë para togave të zeza për njohjen me masën e sigurisë, ndërkohë që policia vazhdon punën për dokumentimin e plotë të aktivitetit të tij kriminal. Sipas të dhënave, po punohet për identifikimin e rasteve të tjera të realizuara nga ky person. Në lidhje me rastin ku ishte futur si “sekser” Xhuti, burimet policore thanë se ka të bëjë me Iliaz Begën. 71-vjeçari është arrestuar më 25 korrik të vitit 2006, në atë kohë vetëm 67 vjeç, banues në rrugën “Vangjel Noti” në Tiranë. Nga të dhënat policore mësohet se atë ditë, rreth orës 13:45, pranë banesës së tij, për motive pronësie ka vrarë me automatik shtetasit Namik Islamaj, 70 vjeç dhe djalin e tij, Astrit Islamaj, 44 vjeç. Gjithçka nisi kur Iliazi doli në oborr dhe po grindej me fjalë me babë e bir, pasi i kishin prishur një portë në oborr, teksa merreshin me ndërtimin e një rruge. Sherri u zhvillua me sharje e fyerje, derisa vrasësi hyri në shtëpinë e tij, i ndjekur nga viktimat. Këta të fundit donin shpjegime rreth prishjes së derës kryesore dhe i flisnin Begës nga kati i parë i shtëpisë, ndërsa ai kishte shkuar në katin e dytë. Zbret prej andej me kallashnikov në dorë dhe i qëllon me breshëri nga një distancë jo më tepër se 10 metra. Të dy gjejnë vdekjen e menjëhershme, pa mundur të transportoheshin për në spital, ndërsa vrasësi priti i qetë policinë, në katin e parë të shtëpisë së tij. Një vit para krimit, Policia Ndërtimore, e mbështetur edhe nga strukturat e Policisë së Rendit, kishte shkuar në Laprakë për të prishur derën. Por, ky nuk ishte rasti i parë i mosmarrëveshjeve mes dy familjeve.
#