E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga ish-kreut të tatimeve, falsifikoi dokumente

Autori i Lajmit: red.
Përfundon në pranga ish-kreu u tatimeve në qytetin e Librazhdit. Arrestimi është kryer në kuadër të operacionit të koduar “Sopoti”. Policia e Elbasanit ndaloi sot dy qytetarë, të cilët akuzohen për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre. Sipas burimeve të policisë, mësohet se është vënë në pranga Fatmir Venetiku, 41 vjeç, me banim në Librazhd, si dhe Bashkim Hoxha, 50 vjeç, lindur në Zdrajç dhe banues në Librazhd. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se Venetiku, ekonomist, (ish- shef i degës së tatimeve në Librazhd), me detyrë aktuale përgjegjës i Zyrës së Menaxhimit të Borxhit pranë Drejtorisë rajonale të tatimeve në Elbasan, si dhe Hoxha, administrator i firmës së ndërtimit “Hoxha“ sh.p.k, në qershor të këtij viti, me anë të një dokumenti të falsifikuar, rritën në mënyrë fiktive numrin e punonjësve të siguruar. Kështu ata arritën të fitonin tenderin e prokuruar nga komuna e Qukësit për ndërtimin e rrugës Plizë–Pishkash (rrethi i Librazhdit). Dy të ndaluarit ndodhen në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të policisë së Elbasanit, në pritje të hetimit për “falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre”.

Ky lajm është publikuar: 25/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›