E Diel, 1 Nëntor 2026

Racizmi në Itali, në gjendje kome 19-vjeçari

Autori i Lajmit: red.
Racizmi në Itali, ka sjellë një viktimë tjetër. Viktimë e paragjykimeve raciste ka rënë një 19-vjeçar shqiptar, edhe pse kishte denoncuar disa herë në polici se i kërcënohej jeta, nuk është marrë asnjë masë. 19-vjeçari shqiptar është plagosur me mjete të forta në kokë dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin e Xhenovas, ndërkohë që policia italiane ka vënë në pranga një italian. Por ngjarja ka qenë e paralajmëruar nga i riu shqiptar, me inicialet B. M., pasi ai kishte denoncuar në polici bashkëmoshatarin e tij italian, pasi e kishte kërcënuar dhe më parë, duke i thënë: “Shqiptar i ndyrë, do të të vras ndonjë ditë”. Për këtë gjë kanë qenë në dijeni dhe familjarët e të riut. E motra e 19-vjeçarit ka deklaruar se italiani, i cili tani është arrestuar, ia kishte bërë jetën ferr vëllait të saj.
Ngjarja
Një shqiptar 19 vjeç, me inicialet B. A., ndodhet në koma në repartin e neurokirurgjisë së spitalit “San Martino” të Xhenovas, pasi është goditur në kokë nga një bashkëmoshatar italian, me precedente penale. Ngjarja ka ndodhur tri ditë më parë, para stacionit hekurudhor në Kogoleto, Xhenova, por vetëm mëngjesin e djeshëm policia e ka bërë të ditur. I riu shqiptar është sulmuar nga italiani, i cili e kishte sharë dhe fyer vazhdimisht të riun. Pak para ngjarjes, shqiptari nuk u ishte përgjigjur kërcënimeve të tij dhe thjesht i ishte shmangur, por i riu italian e kishte ndjekur duke e goditur me mjete të rënda në kokë. Shqiptari nuk ka rënë menjëherë përtokë, por ka mundur të shkojë deri tek makina, dhe pas kësaj, i ka rënë të fikët. Kanë qenë persona të tjerë që e kanë parë të riun në gjendje të rëndë dhe të gjakosur. Ata menjëherë kanë njoftuar ambulancën dhe më pas policinë.
Dëshmia
Italiani siç dukej kishte kohë që kërkonte t i bënte keq shqiptarit. I plagosuri, që ndodhet në koma, kishte bërë një denoncim më parë në polici, ku kishte deklaruar se bashkëmoshatari i tij i kishte thënë: “Shqiptar i ndyrë, do të të vras, herët e vonë”. Viktima dhe agresori frekuentonin të njëjtën shkollë. Në të kaluarën shqiptari e kishte denoncuar dhe në polici, siç ka bërë të ditur dhe motra e të riut, Anjeza M. 24 vjeç. Kjo e fundit ka thënë se kohët e fundit “ia kishte bërë jetën një akth”. Rastet akteve raciste në Itali nuk janë më të rralla, kjo dhe falë politikave acaruese që po ndërmerr qeveria ndaj të huajve, politika këto që po ndihmojnë në ndezjen e bandave dhe veprime ekstreme.

Ky lajm është publikuar: 25/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›