E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga lazaratasit me 30 pako drogë

KORÇË - Një 21-vjeçar, banor i fshatit Lazarat, është vënë në pranga teksa udhëtonte me mjetin e tij tip "Benz" me targë GJ 6040 A nga Gjirokastra për në Korçë. Në një kontroll të ushtruar nga policia, atij iu gjet me vete një sasi bime narkotike "kanabis sativa" e ndarë në 30 pako të mbështjella me natriban. Pakot ishin të vendosur në dy çanta të mëdha sportive. Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur se gjithçka ndodhi pasditen e së dielës rreth orës 17:30, në vendin e quajtur "Fabrika e Tullave" në rrugën nacionale Korçë-Ersekë. Sipas burimeve zyrtare të policisë, "është bërë i mundur finalizimi i operacionit të koduar "Qafa e Qarit". Nga ky operacion u realizua kapja në flagrancë e shtetasit Belul Mustafa Toto, banues në fshatin Lazarat të Gjirokastrës, të cilit iu gjet dhe sekuestrua një sasi bime narkotike e ngjashme me atë të llojit "kanabis sativa" e cila ishte e ndarë në 30 pako të mbështjella me natriban dhe e vendosur në dy çanta të mëdha sportive". Bëhet e ditur se ndaj Totos është marrë masa e arrestit në flagrancë për "prodhim dhe shitje të narkotikëve", ndërsa po punohet për të zbuluar persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet, ku parësor mbeten blerësit e lëndës narkotike. Vetëm një ditë më parë, policia e Korçës prangosi dy shtetas të cilët merreshin me shitje lëndësh narkotike.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›