"Qarku i mbyllur", kapet pronari i heroinës
TIRANE - Tregtimi i narkotikëve, prangoset pronari i 600 gramëve heroinë e kapur në muajin mars te pallati me shigjeta në kryeqytet. Policia pohoi dje se në vijimësi të operacionit të koduar "Qarku i mbyllur", i organizuar në muajin mars nga specialistët e Seksionit kundër Narkotikëve, u realizua kapja dhe më pas arrestimi i bashkëpunëtorit tjetër të përfshirë në një rrjet shpërndarje dhe trafikimi të lëndëve narkotike, kryesisht e llojit heroinë. Sipas bluve të kryeqytetit, falë një hetimi intensiv disamujor i realizuar me metoda speciale, u mundësua kapja në fshatin Vaqar e 43-vjeçarit Shkëlqim Mici, lindur dhe banues në kryeqytet. Dy ditë më parë, Gjykata e Tiranës në mungesë të tij ka vendosur masën e sigurisë "burg pa afat", në bazë të të cilës Prokuroria ka lëshuar urdhër-arrestin. Sipas policisë, Mici dyshohet se në bashkëpunim me Kreshnik Halilaj, i arrestuar më datë 11 mars 2009 dhe Geinhald Hyseni, i shpallur në kërkim me vendim gjykate, dyshohet se kanë kryer veprime të kundërligjshme të "prodhimit dhe shitjes së narkotikëve". Gjatë arrestimit të Micit, në momentin e ndërhyrjes policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale automjetin tip "Ford" me targë TR 6244 H, një peshore elektronike dhe dy celularë. Bëhet e ditur se aktualisht po punohet për identifikimin e anëtarëve të tjerë të këtij grupi. fa.ma.