E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga për vjedhje tokash, u kapën edhe dy snajperë

Dy persona të tjerë të akuzuar për abuzimet me pronat në Kashar, u arrestuan dje falë një operacioni të përbashkët të Njësisë Task-Forcë në prokurori dhe policisë së Tiranës.

Dashamir Biçaku

Oficerët gjyqësorë bllokuan një sasi dokumentesh të falsifikuara në banesat e të prangosurve bashkë me dy armë zjarri tip snajper. Bashkim Kusi, anëtar i këshillit të komunës së Kasharit, si dhe Nuri Valiasi, u arrestuan nga zyra e antikorrupsionit e policisë, ndërsa hetimet janë drejtuar nga Task-Forca Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës. Sipas burimeve zyrtare, mësohet se janë shpallur në kërkim edhe dy persona të dyshuar për implikimin e tyre në abuzimet me tokat në Kashar. Burimet e policisë thanë se ndaj dy të arrestuarve rëndojnë një sërë akuzash, që nga korrupsioni pasiv i personave të zgjedhur vendorë, falsifikimi i dokumenteve shtetërore, armëmbajtje pa leje, si dhe tjetërsim pasurie. Të gjitha këto akuza, sipas policisë, janë formuluar mbi bazën e hetimit disamujor ndaj të arrestuarve, si dhe mbi bazën e provave të gjetura në banesat e tyre dhe në zyrat e komunës Kashar. Hetuesit thonë se puna për zbardhjen e veprimtarisë kriminale të këtyre personave, ka zgjatur rreth 6 muaj. Gjatë kësaj kohe, oficerët e Antikorrupsionit, kanë mundur të mbledhin një numër të konsiderueshëm provash, që zbardhin aktivitetin kriminal të personave të akuzuar. Në bashkëpunim mes tyre të arrestuarit akuzohen se kanë tjetërsuar dhe përvetësuar, së paku 13 parcela trojesh ndërtimi dhe tokë bujqësore në komunën Kashar. Trojet, sipas hetuesve, janë me sipërfaqe nga 1200 metër katrorë deri në 10 mijë metra. Ato u janë shitur të tretëve për ngritje ndërtimesh apo biznesesh të ndryshme kundrejt shumave të konsiderueshme. Bashkim Kusi, vëllai i një të dënuari, i vrarë disa muaj më parë, është kapur në banesën e tij nga blutë e kryeqytetit, mbrëmjen e së dielës. Gjatë një kontrolli të kryer në banesë, anëtarit të këshillit të komunës Kashar i janë sekuestruar dy armë snajper bashkë me një sasi municioni. Po kështu policia bllokoi dokumente të ndryshme, si planvendosje, harta dhe dokumente të parcelave të ndryshme, që dyshohet se janë falsifikuar me qëllim shitjen e tokave tek të tretët pa dijeninë e pronarëve të vërtetë të tyre. Gjatë kontrollit në banesën e Nuri Valiasit, policia gjeti dhe sekuestroi dokumente false, që provojnë tjetërsimin e pronave të këtyre personave në kurriz të pronarëve të vërtetë të tokave. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›