E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherri me armë mes dy familjeve për pronën, në pranga edhe i plagosuri

TIRANE - Policia arreston një tjetër person të akuzuar për konfliktin me armë për motive pronësie të ndodhur në fshatin Bulticë të komunës së Vaqarit.

Përplasja me armë mes dy familjeve në konflikt për pronën, klasifikohet nga policia si vrasje në rrethana të cilësuara, kundrejt më shumë se dy personave. Rasim Xhabafti, 30 vjeç, banues në fshatin Bulticë, është arrestuar nga Komisariati nr.6, pas konfliktit me armë të ndodhur mes familjeve Lami dhe Xhabafti tri ditë më parë, për shkak të një mosmarrëveshjeje pronësie. Arrestimi i 30-vjeçarit Rasim Xhabafti është konfirmuar nga policia e Tiranës. Sipas saj, i arrestuari i fundit i kësaj historie është Rasim Xhabafti, banues në fshatin Bulticë, i cili mbeti i plagosur pas sherrit me armë mes dy palëve, që ndodhi të dielën në mëngjes. Ai akuzohet nga policia për vrasjen e mbetur në tentativë të Abaz Lamit dhe djalit të tij, Fabian Lami, pas përplasjes mes dy familjeve. Më parë policia kishte ndaluar Radmir Xhabaftin, Fadil Xhabaftin, si të përfshirë me armë në përplasjen me armë. Policia la të lirë një person të familjes Lami, ndërsa ka shpallur në kërkim Fabian Lamin, të akuzuar po ashtu si edhe Xhabaftët për vrasje në rrethana cilësuese të më shumë se dy personave me dashje, si dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, policia ka administruar 13 gëzhoja të kalibrit 7.62 mm të qitura nga një armë automatike e markës “Kallashnikov”. Përplasja me armë, e cila shkaktoi pesë të plagosur pa rrezik për jetën, ndodhi pas një konflikti pronësie mes dy familjeve lidhur me një truall rreth 800 metra tokë në fshatin Bulticë.                      d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›