E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pranga policit, qëlloi i dehur në ajër me armën e shërbimit

18/05/2005  Përjashtohet nga Policia e Shtetit

PERMET - Pranga punonjësit të policisë së doganës së Çarshovës për prishje të qetësisë. Për punonjësin e policisë Ilir Dervishi, kjo masë është shoqëruar edhe me përjashtim nga radhët e uniformave blu. Ka qenë ora 11.00 e paradites së djeshme, kur nga forcat e rendit të policisë Përmet është bërë arrestimi në flagrancë i punonjësit të policisë Ilir Dervishi.

Polici 33-vjeçar, është arrestuar nga kolegët e tij pasi mbrëmjen e së hënës, rreth orës 23.30, në qytetin e Përmetit, në vendin e quajtur Lagjja e Re, shumë afër me komisariatin e policisë së këtij qytetit, në gjendje të dehur ka qëlluar me pistoletën e tipit TT gjatë një sherri të tri shokëve të tij Erind Hoxha, 20 vjeç, Alberto Hoxha, 28 vjeç si dhe shtetasi Ilia Doko, 34 vjeç, të tre nga Këlcyra, me një grup tjetër qytetarësh prej 6 personash. Pikërisht gjatë këtij sherri masiv, ku ishin të përfshirë 10 persona, efektivi i komisariatit të policisë Përmet, Ilir Dervishi, ka qëlluar 4-5 herë në ajër me pistoletë. Menjëherë është ngritur grupi hetimor, i cili kreu të gjitha veprimet si dhe u bllokua arma punonjësit të policisë. Arrestimi në flagrancë i shtetasit Ilir Dervishi, u bë për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Ndërsa për shtetasit Erind Hoxha, Ilia Doko, Alberto Hoxha u vendos që të ndiqen në gjendje të lirë për veprën penale të prishjes së qetësisë publike, të parashikuar nga neni 247 të Kodit Penal.

Nga ana e policisë Përmet u mor masa për përjashtimin e tij nga radhët e policisë, gjithashtu u kryen të gjitha procedurat dhe materialet i kaluan prokurorisë për ndjekje të mëtejshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›