E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga shefit të rremë të antikorrupsionit në kryeministri

Policia e kryeqytetit ndalon Alban Muçin, i cili dyshohet se u bënte presion bashkive për korrupsion

Një person që prezantohej si drejtor i antikorrupsionit në kryeministri është ndaluar nga policia e kryeqytetit, pasi dyshohet se ka mashtruar një sërë personash, duke përvetësuar këtë titull. Mashtrimet e tij i ka kryer kryesisht nëpër bashki në rrethe të ndryshme. Alban Muçi është shoqëruar fillimisht nga Komisariati nr. 1, që ka marrë informacion mbi aktivitetin e tij të dyshimtë, ndërkohë që më vonë çështja i ka kaluar antikrimit ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Burimet policore bënë të ditur se Muçi dyshohet se kishte realizuar falsifikimin e një karte, ku identifikohej si drejtor i antikorrupsionit në Kryeministri. Nëpërmjet kësaj letre, ai hynte në bashki, ku deklaronte se kishte shkuar për kontroll. Rasti i fundit ka ndodhur në Gjirokastër, ku ai kishte “rreshtuar” gjithë punonjësit, duke deklaruar se kishte shkuar për kontroll. Në ato momente, ai kishte kryer procedurat e zakonshme dhe më pas përgatiste një notë vlerësimi për kontrollin e kryer. Kështu, dyshohet se ka vepruar në disa rrethe, deri ditën e djeshme që është kapur nga shërbimet e komisariatit nr. 1. Sipas të dhënave, ai mendohet se ka kryer veprime të tilla, kundrejt përfitimeve financiare, duke kryer shantazh edhe mbi punonjësit. Burimet policore thanë se kapja e tij u bë në bazë të informacioneve të mbledhura mbi këtë person. Ai u kap pranë Piramidës, në anë të Kryeministrisë. Me vete iu gjet edhe një notë vlerësimi. Më pas, ai u shoqërua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe shërbimet e antikrimit ekonomik kanë kryer kontroll në banesën e tij, duke sekuestruar dokumente të tjera. Burimet policore nuk dhanë detaje në lidhje me arrestimin e tij, pasi deri në orët e vona, ai është marrë në pyetje nga oficeri i policisë gjyqësore dhe nuk ishte vendosur nëse do të procedohej penalisht në gjendje të lirë apo i arrestuar.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›