Regjistrimi, asnjë efekt në listat themeltare të shtetasve
Cilido qoftë rezultati i regjistrimit të ri të popullsisë ai nuk do të pasqyrohet në regjistrat e gjendjes civile. I kuptuar përgjithësisht si një proces që për shkak të vetëdeklarimit të etnisë nga ana e shtetasve mund të sjellë ndryshime në dosjen dokumentare të raporteve demografike, në të vërtetë efekti i tij do të kufizohet vetëm te statistika. Drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë së Gjendjes Civile, Armand Teliti, sqaroi dje për gazetën “Shqip” se procesi në fjalë, i organizuar nga Instituti i Statistikave ka vetëm efekt statistikor dhe se rezultatet e tij nuk ndikojnë në përcaktimin e gjeneraliteteve të shtetasve në sistemin dokumentar që administrohet nga ky institucion. “Regjistrimi i popullsisë dhe Regjistri i Gjendjes Civile janë dy gjëra të ndryshme. Procesi i nisur nga INSTAT bëhet vetëm për efekt statistikor dhe nuk ka sesi të diktojë ndryshime në dokumentacionin që administrohet në drejtorinë tonë”, tha Teliti. Ai ka vijuar më tej duke nënvizuar se praktika e regjistrimit të popullsisë bazuar mbi vetëdeklarimin e etnisë, qoftë edhe për shkak të praktikës së ndjekur nuk mund të ndikojë në ndryshimin e dokumentacionit të shtetasve, i cili ka kritere të tjera në hartimin dhe administrimin e tij. “Ne operojmë mbi bazën e dokumentacionit të shkruar. Një shtetas mund të deklarojë etninë që dëshiron, pasi edhe pse moralisht është i detyruar të deklarojë të vërtetën, ai ligjërisht nuk është. Përkundrazi Gjendja Civile vepron dhe disponon gjeneralitet mbi bazën e dokumenteve që përbëjnë faktin mbi çdo shtetas”, tha drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Gjendjes Civile. Një praktikë e tillë jep një ide më të qartë të pasojave të regjistrimit që duhet të nisë në vitin 2011 dhe për të cilin ka pasur një debat shumë të madh. Kështu ideja e një përmbysjeje në raportet ndëretnike edhe sikur të ndodhë, priret të ketë një vlerë statistikore, e cila si e tillë do të paralelizojë deri-diku “statistikën” e regjistrit të Gjendjes Civile që është e tillë përmes aktit vullnetar të regjistrimit të shtetasve. Thënë ndryshe, kufijtë e rinj ndëretnikë brenda Shqipërisë, të bazuar mbi vetëdeklarimin, duke u nisur nga shqetësimi i shprehur nga kundërshtarët e regjistrimit, në çdo pikëpamje do të kenë sipas një nocioni të gjerë, përgënjeshtrimin e vet në dokumentacionin e shtetit shqiptar. Megjithatë një element me rëndësi në këtë kontekst është ajo çfarë deklarohet nga zyrat e INSTAT, sipas të cilit “regjistrimi do të kërkojë vetëdeklarim mbi etnicitetin”. Sipas përcaktimeve të gjithëpranuara dhe standarde ka një dallim shumë të madh mes etnicitetit dhe kombësisë, ku kjo e fundit është e dhënë kryesore për shtetasit në Regjistrin e Gjendjes Civile. Pra certifikata e kujtdo shtetasi pasqyron kombësinë, por jo etninë, të cilat jo gjithnjë përputhen mes tyre. Sipas INSTAT, problemi më i madh mbi të dhënat e popullsisë që banon në Shqipëri qëndron te komunitete të tilla si romët, për të cilët ka shumë pak të dhëna. Ajo që ende mbetet për t’u sqaruar është fakti se si do perceptohet shifra e re e raporteve etnike në Shqipëri nga të huajt, e cila do të jetë zyrtare.
#