Tiranë, Bashkia: Një "Natë e bardhë", ndryshe
Prej disa vitesh në Tiranë është bërë traditë festimi i "Natës së bardhë". Kjo festë është bashkëngjitur me Ditën e Çlirimit të Shqipërisë dhe çdo vit e më shumë grumbullon njerëz në aktivitete.
TIRANE- "Nata e bardhë", më 29 nëntor do të festohet për të pestin vit radhazi në kryeqytet. Tashmë ajo është kthyer në një festë tradicionale për Tiranën. Siparin e kësaj festë gjigante do ta hapë banda e qytetit, e cila do të bëjë marshimin e saj, duke nisur nga rruga e Durrësit drejt sheshit "Nënë Tereza". Prej disa vitesh në Tiranë është bërë traditë festimi i "Natës së bardhë". Kjo festë është bashkëngjitur me Ditën e Çlirimit të Shqipërisë dhe çdo vit e më shumë grumbullon njerëz në këtë natë në aktivitetet që zhvillohen në qytet. Në këtë ditë festash dhe duke parë popullaritetin dhe vëmendjen e publikut gjithnjë në rritje ndaj garave motoristike dhe organizatës "Rally Albania", në natën e datës 29 nëntor, të shtunën do të organizohet aktiviteti i quajtur Trofeu i Çlirimit. Qëllimi është që në të ashtuquajturën "Nata e bardhë", që ka hyrë në traditën e kryeqytetit, të shtohet dhe ky aktivitet me përmasa të mëdha dhe spektakolar. Gara do të zhvillohet në mbrëmje, nga ora 19:00 në 24:00. Veç garave, të cilat janë risi e kësaj mbrëmjeje të pafundme, do të ketë dhe nga ato gjëra që e bëjnë atë një festë tradicionale, siç është hapja e dyerve të bashkisë për qytetarët, banda e qytetit, cirku dhe koncertet e shumta festive.
Aktivitetet
Normalisht nuk do të mungojë koncerti madhështor i organizuar nga Bashkia e Tiranës në sheshin "Skënderbej", ku në këtë skenë do të ngjiten artistët e mirënjohur të vendit dhe të trojeve jashtë Shqipërisë. Siparin e hap banda e qytetit, në orën 16:00, më pas, në orën 17:00, Bashkia e Tiranës do të hapë dyert për qytetaret, duke pritur vizita prej tyre. Më tej do të vijojnë aktivitetet e ndryshme për fëmijë, si dhe një aktivitet për veteranët e luftës. Ndërsa risia e kësaj nate, që janë garat që do të zhvillohen në bashkëpunim me "Rally Albania", do të nisin në orën 19:00, dhe do të zgjasin deri në mesnatë, pasi do të zhvillohen në 4 kategori të ndryshme. Pasi të gjitha garat të jenë mbaruar dhe të kenë dalë fituesit, në orën 22:30-23:00 do të zhvillohet ceremonia e ndarjes së çmimeve. Në podiumin e ceremonisë do të ketë ndërkohë koncert me grupe rock dhe një ekran projektimi të madh në të cilin do të shfaqen pamjet live të garës dhe më pas koncerti. Në shesh dhe në shatërvan do të vendosen objekte që tregojnë tipin e aktivitetit dhe sponsorët e tij.
Rrugët
Gjatë festimeve të "Natës së bardhë", më 29 nëntor, Bashkia e Tiranës ka kërkuar që të bllokohen disa rrugë ku do të zhvillohen aktivitetet e kësaj feste. Rrugët do të bllokohen duke nisur nga ora 15:30 deri në vazhdim, pasi nuk dihet se kur mbyllen aktivitetet. Midis rrugëve që do të bllokohen janë sheshi "Nënë Tereza", bulevardi "Dëshmorët e Kombit", bulevardi "Zogu i Parë" si dhe rruga "Dëshmorët e 4 Shkurtit".
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)