Pranga tetovarit, vidhte pasqyra dhe aksesorë makinash
Një shqiptaro-maqedonas është vënë në pranga nga policia nën akuzën e vjedhjes. Burime policore thanë se shërbimet e Komisariatit Nr. 2 Tiranë arrestuan në flagrancë shtetasin Bejtulla Agim Islami, 21 vjeç, banues në Tetovë, me shtetësi Maqedonase. Kapja dhe më pas arrestimi i tij u krye, sepse dy ditë më parë, rreth orës 20.30, pranë stadiumit “Selman Stërmasi” në kryeqytet, dyshohet se ka tentuar të vjedhë pasqyrat e automjetit me targa TR 1491 U. Pas hetimeve të kryera, ka rezultuar se ky shtetas ka vjedhur edhe shumë aksesorë të mjeteve të ndryshme po në Tiranë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një armë e ftohtë thikë, si dhe një kaçavidë. Në ngarkim të tij po punohet për dokumentimin e të tjera vjedhjeve të automjeteve dhe pjesë mjetesh, të realizuara nga ai, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për konsumim të veprës penale të vjedhjes, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal.
#