Pranga tre shqiptarëve, tutorë prostitutash në Itali
VERONA- Tre shqiptarë u arrestuan dje në Itali për shfrytëzim prostitucioni. Arrestimet janë kryer nga policia italiane në Verona të Italisë. Sipas policisë në pranga me shqiptarët kanë përfunduar edhe një grua bullgare dhe një argjentinase. Të njëjtat burime janë shprehur për mediat italiane se të arrestuarit janë Gentjan Kripa, 34 vjeç, Arben Kardellamaj, 41 vjeç dhe Granit Salihaj 39 vjeç. Viktimat, të gjitha vajza të reja vinin nga Shqipëria, Rumania, Bullgaria, Greqia, Moldavia dhe Ukraina. Ato ishin të detyruara nga tutorët të punonin në Itali si prostituta. Vajzat ushtronin prostitucion në Verona, Torino dhe Saint Vincent, në Aosta. Hetimet për shkatërrimin e kësaj bande kishin nisur që në muajin Janar të këtij viti pas sinjalizimit që kishin dhënë disa banorë të cilët kishin vënë re se në një apartament, pronë e gruas nga Argjentina, në zonën afër stadiumit në Verona ushtrohej prostitucion. Policia sekuestroi dhe dy apartamente.
Plagosi bashkëmoshatarët me thika pas grindjes, ndalohet 20 - vjeçari
Tiranë – Një 20 - vjeçar u arrestua pak pasi kishte plagosur me thikë dy bashkëmoshatarët e tij. Burime policore thanë për gazetën se Latif Kamberi, 20 - vjeç lindur dhe banues në Kashar u arrestua pasi dyshohet se dy ditë më parë në Kashar, për motive të dobëta, ka plagosur me armë të ftohtë (thikë) dy bashkëmoshatarët e tij, Ibrahim Hajdari dhe Flamur Fatmir Hajdari. Specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, pranë Policisë së Tiranës, dërguan materialet e përpiluara në Prokurorinë e Tiranës, për veprën penale të “Plagosjes së rëndë me dashje”, parashikuar nga neni 88 i Kodit Penal.
Ishte dënuar me dy vjet burg për mashtrim, dërgohet në qeli
Tiranë - Është dënuar me 2 - vjet heqje lirie me vendim të Gjykatës Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “Mashtrimit” shtetasi Neki Suli, 55 - vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Fushë Mëzes. Ndaj tij, Prokuroria e Tiranës ka lëshuar urdhrin e ndalimit, pasi akuzohet për konsumim të veprës penale të “Mashtrimit”.
27 Shtator 2008