Shkrimtari Zyhdi Morava: “Nuk kam lidhje me drogen”
Nuk ka pranuar të ketë lidhje me drogën që u kap në makinën e tij të defektuar dhe të ngarkuar në një karrotrec me destinacion Italinë. Hetuesin nuk kanë mundur të mësojnë asgjë në lidhje me destinacionin e lëndës narkotike e madje as lidhjet që ka pasur i arrestuari me shoferin e karrotrecit, por policia mendon se ata të dy ishin bashkëpunëtorë. Megjithatë, dje janë konstatuar gjurmë të gishtave në paketimin e drogës, që po analizohen nga ekspertët për të parë se kujt i përkiste ajo. Mbetet në ditët në vijim të mësohet gjithçka rreth këtij trafiku, teksa i kanë premtuar poetit disident se në rast të një bashkëpunimi të mundshëm mund të përfitojë në dënimin që deri në këto momente mendohet të jetë shumë i rëndë për të. Akuza është trafik ndërkombëtar droge dhe minimalisht Zyhdi Morava do të mbahet për 25 vjet pas hekurave të qelive.
Arrestimi
Zyhdi Morava, ish-kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve u kap dje në kufirin italian me Austrinë, me 9 kilogramë kokainë. Agjencia e lajmeve ANSA ishte ajo që e publikoi e para lajmin e arrestimit të shkrimtarit, pasi u kap nga polici me 9 kilogramë kokainë të fshehur në makinën e tij. Droga u gjet në dyert e makinës, të cilën e transportonte me një karroatrec. Ka qenë një patrullë e policisë italiane, disa kilometra pa mbërritur në Bolzano, ajo që ka ndaluar karrotrecin dhe më pas ka kërkuar dokumentet e makinës. Këtu disa kontradikta në këto momente mes shoferit të karroatrecit dhe shkrimtarit, reagimet nervoze dhe një gjendje paniku i këtij të fundit, kanë nxitur agjentët e patrullës për një kontroll të hollësishëm që çoi në gjetjen e plot 9 kilogramë kokainë.
Udhëtimi
Sipas raporteve që policia italiane ka dhënë për mediat, Zyhdi Morava dyshohet ta ketë marrë drogën në Holandë. Në Gjermani, konfirmohet që ai të ketë bërë një ndalesë, pasi në makinën e tij ka pësuar një defekt. Automjeti i Moravës ka lëvizur më pas me karroatrec nga Gjermania në Zvicër dhe prej kufirit në Brennero, ka hyrë në territorin italian, ku dhe ka rënë preh e një kontrolli rutinë policor. Në fakt, patrulla e policisë së Bolzanos goditi në shenjë me këmbënguljen e saj, sepse gjatë kontrollit rezultoi se në dyert e makinës së Moravës mbi karroatrec u gjetën të ambalazhuar sasi të konsiderueshme kokaine, vlera e së cilës kapte shumën prej 4 milionë eurosh.
27 Shtator 2008