E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prangosen në Port me dokumente të rreme

DURRES - Një shtetas nga Elbasani është prangosur teksa tentonte të shkonte në Angli përmes Barit me emër të rremë, ndërsa shoqëruesi i tij është proceduar penalisht. 

Në kushtet e flagrancës është arrestuar 32-vjeçari Arjan Filja, i cili zotëronte dokumente të rregullta angleze me emrin Astrit Shëngjergji. Policia e Durrësit bën me dije se Filja, një emigrant në Angli është regjistruar atje me identitetin e rremë, duke u shtirur si shtetas kosovar, në mënyrë që të përfitonte nga statusi i “refugjatit të luftës”. Arjan Filja, i njohur në Angli si Astrit Shëngjergji, nuk kishte patur në të kaluarën precedentë penalë, njoftoi policia e Durrësit. Gjithashtu filloi edhe procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit Elton Shëngjergji, pasi ai dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Procedimet penale ndaj dy elbasanllinjve u bazuan në kallëzimin e bërë pranë strukturës kundër korrupsionit Durrës nga punonjësi i Policisë së Komisariatit të Portit, N.C., i cili i kishte deklaruar eprorëve se, “Astrit Shëngjergji dhe Elton Shëngjergji më kanë ofruar një sasi të hollash kundrejt mosushtrimit të kontrollit të dokumentacionit personal dhe të automjetit tek sheshi i trageteve në Portin e Durrësit”. Lidhur me rastin në fjalë u sekuestrua në cilësinë e provës materiale automjeti tip “Renault Megane” me targë angleze HK 03 TZV, dokumentet e mjetit, një telefon celular, pasaporta e shtetasit Arjan Filja (Astrit Shëngjergji) dhe leja e drejtimit të mjetit të shtetasit Elton Shëngjergji.               o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›