E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, një i vdekur 3 të plagosur rëndë

Një i vdekur dhe tre të plagosur rëndë është bilanci i dy aksidenteve të ndryshme, nga shembja e një solete në Baldushk, si dhe nga rënia në kontakt me rrymën elektrike e dy personave në periferi të Tiranës. 

Dashamir Biçaku

Në Baldushk dje në mëngjes rreth orës 05:00, Hasan Ahmeti 42 vjeç ka mbetur i vdekur në vend, ndërsa Hys Drita 35 vjeç, është plagosur lehtë për shkak të shkëputjes së një solete tek ish-godinat e rezervave të shtetit. Të dëmtuarit sipas policisë, po punonin për të hequr hekurin nga soleta, duke e prerë me gur fresibël me qëllim për ta shitur atë për skrap. Në ngjarjen e dytë të ndodhur në Fushë-Mëzez, babë e bir, kanë mbetur të djegur dhe kanë marrë plagë të rënda, për shkak të rënies në kontakt me energjinë elektrike. Një kabinë që ndodhej pranë banesës së tyre, ku kalonin kabllot elektrikë sipas policis,ë mendohet se ka shkaktuar një shkarkesë elektrike për shkak të mosfunksionimit të rregullt të tokëzimit. Katër të dëmtuarit nga këto dy aksidente janë dërguar në Spitalin Ushtarak, por një prej tyre nuk ka mundur të shpëtojë. Hasan Ahmeti, 42 vjeç, banues në fshati Shpat të Komunës së Baldushkut ka ndërruar jetë që në momentet e para, ndërsa ai vetëm formalisht është nisur për në spital.
Dy aksidentet
Ahmeti dhe Hys Drita, sipas burimeve të policisë kanë qenë duke shkatërruar një pjesë të një solete të një godine ish-pronë e rezervave të Shtetit. Ata kanë qenë duke prerë me gur fresibël, një pjesë të hekuri të soletës, e cila është shkëputur dhe ka zënë poshtë 42-vjeçarin Hasan Ahmeti. Punëtori tjetër Hys Drita, ka pësuar dëmtime të lehta në trup, por që nuk i kanë sjellë dëmtime serioze që mund t’i rrezikonin jetën. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes pas njoftimit të marrë dhe ka nisur të kryejë veprimet e saj në vendin e ngjarjes. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes prej ekspertëve, është mësuar se të dëmtuarit kanë vepruar në mënyrë të gabuar duke prerë një pjesë të tarracës, pranë të cilës ata kanë qenë duke punuar. Hetimet konkluduan se ngjarja ka qenë aksidentale. Ahmetaj mbeti i vdekur, ndihmësi i tij, Hys Drita, ka marrë plagë, por pas mjekimit nuk ka pasur rrezik për jetën. Ndërkaq, ngjarja tjetër ka ndodhur në fshatin Fushë-Mëzes të Tiranës, kur Ilir dhe Xhevahir Bajraktari kanë rënë në kontakt me energjinë elektrike. Ata kanë qenë pranë banesës së tyre, pranë një gardhi me tel, kur në mënyrë të papritur kanë rënë në kontakt me korrentin. Një polic i Qarkullimit Rrugor që ka dëgjuar britmat e dy të dëmtuarve iu ka ardhur në ndihmë, ndërsa ka lajmëruar kolegët e tij për ndihmë. Babë e bir, janë dërguar në Spitalin Ushtarak dhe sipas policisë kanë kaluar rrezikun për jetën, pavarësisht djegieve të rënda që ata kanë pësuar. Hetimi i kryer nga policia nuk ka nxjerrë ndonjë ndërhyrje, por dyshimet më të mëdha janë se ndonjë prej kabllove të kabinës ka qenë i zhveshur dhe ka shkarkuar rrymën në tokë. Lagështira ka bërë të vetën dhe sipas policisë, ajo ka transmetuar elektricitetin, duke shkaktuar edhe plagosjen e Ilir e Xhevahir Bajraktarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›